Telegrafi

Pamje nga hapja e Zyrës së parë amerikane në Prishtinë më 1996 (Foto/Video)

Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë më 1996/ Foto: Adnan Merovci-Facebook

Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot po shënojnë 243 vjetorin e pavarësisë. Kjo ditë po shënohet edhe në Kosovë me aktivitete të ndryshme.

Po ashtu do të bëhet edhe përurimi i objektit të ri të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, e cila njëherësh do të jetë edhe ambasada më e madhe në Ballkan.

Amerika kishte hapur për herë të parë Zyrën Amerikane në Prishtinë në qershor të vitit 1996.

Lexo po ashtu Sot përurohet objekti i ri i Ambasadës së SHBA-së, më e madhja në Ballkan

Asokohe në ceremoninë hapëse të kësaj zyre kishte marrë pjesë presidenti tashmë i ndjerë Ibrahim Rugova dhe udhëheqës të partive politike në Kosovë.

Qytetarët para Zyrës Amerikane më 1996/ Foto: Adnan Merovci-Facebook

Për të marrë pjesë në këtë ceremoni nga Amerika kishin ardhur edhe ndihmës sekretari amerikan i shtetit John Kornblum dhe diplomatë të tjerë amerikan të akredituar në Beograd.

Ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova dhe sekretari amerikan John Kornblum/ Foto: Adnan Merovci- Facebook

Para zyrës qe po hapej ishin grumbulluar edhe disa qindra qytetarë, të cilët dëshironin të ishin dëshmitarë të këtij momenti historik për Kosovën, ku e përshëndetën zbulimin e pllakës së Zyrës amerikane me duartrokitje dhe brohoritjet “USA, USA, USA” dhe “Rugova, Rugova, Rugova”, “Kosova, Kosova, Kosova” etj. /Telegrafi/

Ngritja e flamurit amerikan me rastin e hapjes së Zyrës Amerikane në Prishtinë më 1996/Foto: Ridvan Slivova