Është përsëritur grabitja e makinave të bankës që transportojnë para drejt Rinasit në Tiranë. Këtë të enjte, “viktimë” e një sulmi dhe më pas e një grabitjeje ka rënë makina e një banke të nivelit të dytë, rrugës për në aeroport.
Rreth orës 13:50 minuta makina e blinduar e një firme të kontraktuar nga banka e një niveli të dytë ishte nisur rrugës për në aeroportin e Rinasit.
Ka qenë një automjet tip Benz me ngjyrë të zezë që i ka zënë pritë autoblindat dhe e ka detyruar të hapë krahun.
Për të ndalur autoblindën ata kanë qëlluar në ajër.
Më pas një person i veshur me ngjyra të errëta dhe me armë në dorë ka thyer me qytën e armës xhamin e krahut të shoferit dhe e ka detyruar këtë të fundit të hapë derën duke grabitur sasinë e parave që po transportohej drejt aeroportit të Rinasit.
Autorët më pas për të fshirë gjurmët kanë djegur automjetin me të cilin kryen grabitjen.
Nga të dhënat paraprake rezulton se autorët kanë grabitur rreth dy milionë euro.