Site icon Telegrafi

Pamje nga aksidenti tragjik në Tiranë (Video)

Një video nga aksidenti tragjik sot në Tiranë është publikuar nga Tv Klan. Dhurata Prifti u përplas për vdekje nga një makinë e drejtuar nga 20-vjeçari Andrea Memollari.

Në videon në fjalë duket momenti teksa gruaja që po kalonte rrugën bashkë me dy fëmijët e saj 13 dhe 7 vjeç, i del përpara makinës që vinte me shpejtësi, për të shpëtuar jetën e fëmijëve. Përplasja ishte fatale për të.

Shoferi jo vetëm që nuk ka ulur shpejtësinë, por i ka kaluar sipër gruas duke i shkaktuar asaj vdekjen.

Njerëzit e pranishëm shfaqen në video teksa bëjnë gjeste që tregojnë gjendjen e tyre të terrorizuar nga aksidenti i rëndë. Menjëherë kalimtarë të rastësishëm i janë afruar gruas për t’i dhënë ndihmën e parë, por nga plagët e rënda 37-vjeçarja ndërroi jetë në spitalin e Traumës.

Pas përplasjes fatale me makinën Mercedes C Class ngjyrë gri, Andrea Memollari është larguar nga vendi i ngjarjes, e ka braktisur atë në rrugën Siri Kodra, e derisa u arrestua rreth 4 orë pas aksidentit nga Policia e Tiranës.

Fëmijët në gjendje të traumatizuar janë shoqëruar me ambulancë drejt spitalit për t’i asistuar me ndihmën e nevojshme shëndetësore.

Exit mobile version