Site icon Telegrafi

Pamje dramatike: Tornado lë pesë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur në Kinën lindore

Pesë persona kanë vdekur dhe rreth 100 janë plagosur nga tornado që ka përfshirë një qytet në Kinën lindore.

Një video dramatike e postuar në rrjete sociale tregon tornadon teksa shkatërron çatitë e shtëpive dhe shkul pemët.

“Moti i rëndë shkaktoi tornado”, tha Byroja e Menaxhimit të Emergjencave të Qarkut Dongming, duke shtuar se qeveria ka krijuar një qendër komandimi dhe ka nisur operacionet e reagimit emergjent.

Siç raportohet, tornado dëmtoi 2,820 shtëpi në Caiyuan, në provincën Shandong, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Ndërsa tornadot nuk ndodhin aq shpesh në Kinë sa në SHBA, ato nuk janë të panjohura.

Bëhet e ditur se Kina ka mesatarisht më pak se 100 tornado në vit dhe të paktën 1,772 njerëz kanë vdekur nga tornadot që nga viti 1961.

Në fillim të këtij muaji, Administrata Meteorologjike e Kinës publikoi “Blue Book” mbi gjendjen e ndryshimeve klimatike në vend.

Raporti zbuloi se “ngjarjet ekstreme të motit dhe klimës priren të jenë më të shpeshta dhe më të rënda”.

Ndryshe, në prill, një tornado goditi qytetin jugor të Guangzhou, duke vrarë të paktën pesë persona dhe duke plagosur 33 të tjerë.

Rajone të tjera të vendit po përballen gjithashtu me mot ekstrem, pasi thatësira e madhe dhe temperaturat rekord po djegin veriun, ndërsa shirat e dendur po përmbytin jugun. /Telegrafi/

Exit mobile version