Pamjet e xhiruara nga një telefon celular kapën momentin e frikshëm të një grupi njerëzish me motorë bore që ishin zënë në një ortek derisa po udhëtonin në Malet Uinta të Utah-s në SHBA.
Sipas DailyMail, përcjell Telegrafi, Miles Penrose, dy nga vëllezërit e tij, dhe disa miq po shëtisnin me motora bore në një zonë që ata e njihnin mirë, kur filluan të ndien atë që në fillim mendohej të ishte një tërmet.
“Derisa u ktheva dhe shikova, mund të shihja valën e borës që po vinte”, shkroi ai në faqen e tij në rrjetet sociale.
Një anëtar i grupit arriti të kapte të gjithë ngjarjen me celularin e tij.
Disa në grup u ‘varrosën’ plotësisht ose pjesërisht, midis tyre vëllai i vogël i Penrose, Hunter.
“Nuk ka ndjenjë më të keqe se sa kjo”, shkroi Penrose i cili arriti të gërmonte borën për ta nxjerrë vëllain e tij.
Dy të tjerë në grup ishin në gjendje të ‘tejkalonin’ ortekun, dhe duket se nuk kishte ndonjë lëndim mes grupit.
Penrose shkroi se personi që po xhironte ishte ‘varrosur deri në fytyrë’ në dëborë dhe disi ishte në gjendje të mbante telefonin e tij.