Në një fotografi të Zyrës Ovale të datës 28 janar gjendet presidenti i SHBA-ve Donald Trump me ish-këshilltarët. CNN shkruan se fotografia “paraqet kaos” në Shtëpinë e Bardhë.
Në fotografinë e bërë në ditët e para pas ardhjes së Trump në pushtet, shihet presidenti duke biseduar në telefon me kolegun e tij rus Vladimir Putin. Rreth Trumpit ndodhet shefi i personelit Reince Priebus, strategu kryesor Steve Bannon, zëdhënësi Sean Spicer dhe këshilltari për siguri nacionale Michael Flynn. Aty është edhe zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Mike Pence. Vetëm 202 ditë më vonë, dy persona nga fotografia janë ende në Shtëpinë e Bardhë – Trump dhe Pence.
Fillimisht u shkarkua Flynn më 13 shkurt, pas konfirmimit se kishte pasur kontakte me ambasadorin rus para se të merrte zyrtarisht detyrën.
Brenda disa ditësh, në korrik u larguan edhe Spicer dhe Pribus. I pari u largua me dëshirën e tij, ndërsa i dyti u shkarkua. Bannon ndërkaq u shkarkua më 18 gusht.
CNN shkruan se në kohën e tranzicionit detyra e drejtorit për komunikim iu ofrua Jason Millerit, i cili pranoi detyrën dhe më vonë e refuzoi me arsyetimin se dëshiron të kalojë kohën me familjen. Në këtë post erdhi Mike Debke. Por, edhe ai u tërhoq pas vetëm tre muajsh.
Shumë detyra deri në atë kohë i mori Spicer, i cili punoi deri në fund të korrikut, kur në vend të drejtorit për komunikim erdhi Anthony Scaramucci. Por, edhe ky e përfundoi karrierën pas dhjetë ditësh dhe tash në këtë pozitë përkohësisht është 28-vjeçarja Hope Hicks.
“Mos iu besoni lajmeve të rreme. Shtëpia e Bardhë është krejt në rregull. Kam trashëguar kaos dhe tash dua që ta rregulloj”, kishte shkruar Trump në Twitter, më 18 shkurt.
CNN shkruan se fotografia është dëshmi se presidenti nuk kishte të drejtë, transmeton KosovaPress.