Partia Demokratike (PD) thotë se Venecia nuk ka rrëzuar kërkesat e saj në lidhje me reformën në drejtësi, madje i ka dhënë mbështetje në dy parime kryesore, që opozita thotë se i ka ngritur qysh prej fillimit.
Edi Paloka drejtoi mbledhjen e grupit parlamentar këtë të mërkurë në mungesë të Lulzim Bashës, i ndodhur në Shtetet e Bashkuara për një vizitë zyrtare. Në fjalën e mbajtur para mediave në përfundim të kësaj mbledhjeje, Paloka foli për reformën në drejtësi.
“Nuk ka asnjë të vërtetë që Venecia ka rrëzuar PD, sepse nëse do të bënim këtë do të thotë që Venecia i ka dhënë dritën jeshile kapjes politike të drejtësisë. Venecia ka rekomanduar në rekomandimet finale atë që këmbëngul Partia Demokratike prej kohësh për moskapjen e sistemit të drejtësisë dhe dialogun politik”, tha Paloka.
Paloka përsëriti qëndrimin e kushtëzuar të demokratëve karshi Parlamentit. Në axhendën e demokratëve në seancën e së enjtes janë primare kërkesat e tyre për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të dy deputetëve të tjerë të maxhorancës, që opozita thotë se kanë shkelur ligjin e konfliktit të interesit duke përfituar fonde publike.
“Javën e kaluar patëm një votim për Koço Kokëdhimen, por nuk u votua kërkesa jonë për deputetin Rakip Suli, që do të votohet nesër dhe shpresojmë që qëndrimi i maxhorancës nesër të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kemi një kërkesë edhe për zonjën Leskaj për të njëjtën çështje, që pritet të diskutohet fillimisht nga Këshilli i Mandateve, por edhe amendamentet tona për ligjin e dekriminalizimit, që janë në pritje për diskutim në Komisionin e Ligjeve”, tha Paloka.
Lidhur me Byronë Kombëtare të Hetimit, Partia Demokratike thotë se është një çështje që duhet zgjidhur sa më parë sipas rekomandimeve të Venecias. /Telegrafi/