Site icon Telegrafi

Palmer: SHBA do të ndihmojë Shqipërinë në hapjen e negociatave me BE-në

Në Forumin e Bledit në Slloveni ku po merr pjesë, Matthew Palmer, i ngarkuari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, ka deklaruar se një nga pikësynimet e tij kryesore është që të ndihmojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që të hapin negociatat me Bashkimin Evropian në muajin tetor.

Një tjetër synim i Uashingtonit, deklaroi Palmer, është edhe rikthimi i Kosovës dhe Serbisë në tryezën e dialogut për të arritur normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

“Kemi disa synime të rëndësishme, si ndihma ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të siguruar hapjen e negociatave me BE-në, mundësisht brenda tetorit; të ndihmojmë Serbinë dhe Kosovën që t’i kthehen dialogut, të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, si dhe të hapet udha drejt BE-së si për Serbinë, ashtu dhe për Kosovën. Duam të punojmë me Bosnje Hercegovinën, me autoritetet në nivel shtetëror, po ashtu edhe me autoritetet e kantoneve, bashkive, në mbështetje të reformave të thella, funksionalitetit, dhe angazhimit për të ardhmen evropiane të të gjithë banorëve të Bosnjës”, tha Palmer.

“Kemi dëgjuar nga rajoni, kemi dëgjuar rregullisht nga partnerët dhe aleatët tanë, se SHBA-të s’kanë qenë mjaftueshëm të pranishëm në Ballkanin Perëndimor, s’kanë qenë të angazhuar mjaftueshëm, ndaj synimi që kam në këtë rol, është të jem i pranishëm”, shtoi ai. /tch/

Exit mobile version