Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer ka thënë se Marrëveshja e 4 shtatorit mes Kosovës dhe Serbisë është e vlefshme dhe sipas tij ajo është themel për stabilitet dhe prosperitet në tërë Ballkanin Perëndimor.
“Marrëveshja e 4 shtatorit është ende e vlefshme dhe mendoj se ajo ka themel të mirë. Sekretari Blinken ka qenë i qartë dhe se synojmë të punojmë mbi themelet e asaj marrëveshje të mirë që është arritur në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo marrëveshje është themel për stabilitet dhe prosperitet në tërë Ballkanin Perëndimor”, tha Palmer në RTV Dukagjini, përcjell Telegrafi.
I pyetur nëse mund të ketë ndonjë marrëveshje të re mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington, Palmer është përgjigjur:
“Kurrë mos thuaj kurrë, por momentalisht procesi i dialogut po udhëhiqet nga BE-ja dhe jo nga Shtëpia e Bardhë. Mendoj se kur të arrihet marrëveshje e plotë gjithëpërfshirëse dhe normalizimi i plotë i raporteve, do të ketë vend për të festuar këtë arritje të madhe”, shtoi Palmer.
Palmer në këtë intervistë ndër të tjera ka folur edhe për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, raportet me Kurtin, ambasadën e Kosovës në Jerusalem dhe tema tjera./Telegrafi/