Zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit i SHBA-së, njëherësh përfaqësues Special i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka thënë se prioritet i SHBA-së mbetet normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Palmer këto komente i bëri gjatë një takimi me studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, transmeton Telegrafi.
“Emërimi im nga presidenti Trump, nënvizon se SHBA janë të pranishme për të ndihmuar, Kosova nuk mund të mbetet jashtë zgjidhjes. Kosova nuk mund të mbetet e izoluar. Zgjidhja një herë e përgjithmonë mes Kosovës e Serbisë, mbetet prioritet”, ka thënë Palmer.
Ai gjithashtu ka thënë se me 6 tetor, qytetarët e Kosovës votuan për ndryshimin dhe se SHBA përkrahë këto ndryshime.
“Sytë e botës do të shikojnë se çfarë do të bëjë Qeveria e re. Nuk shohim ndonjë mundësi për të ardhmen për Kosovën pa u normalizuar marrëdhëniet me Serbinë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se SHBA nuk do të imponojnë asnjë marrëveshje pa u pajtuar të dy palët dhe pa u miratuar në parlament. Po ashtu ai ka pohuar se Serbia nuk do të arrijë të hyjë në BE pa i normalizuar marrëdhëniet me Kosovën.
Palmer gjithashtu ka takuar sot presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin si dhe përfaqësues tjerë politikë./Telegrafi/