Juristi dhe analisti politik, Dastid Pallaska, ka thënë se shqiptarët e Kosovës nuk kanë nevojë të legjitimohen për patriotizëm nga disa analistë të Tiranës.
“Dashuria për Kosovën ishte dhe mbetet forca kryesore shtytëse e zhvillimit kombëtar të shqiptarëve”, ka shkruar Pallaska në llogarinë e tij në Facebook.
Postimi i Pallaskës në Facebook:
Rolin e prijësit të proceseve kombëtare që disa “analistë” nga Tirana sot po mundohen artificialisht t’ia atribuojnë Shqipërisë, Kosova e ka kryer pa zhurmë e me vepra për më tepër se një shekull.
Kosova ishte faktor kyç – për të mos thënë përcaktues – në proceset kryesore historike të kombit shqiptar që nga Lidhja e Prizrenit dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë e deri te përkrahja për liri e barazi e shqiptarëve në Maqedoni dhe Luginë të Preshevës.
Kjo është arsyeja pse shqiptarët e Kosovës nuk kanë nevojë të legjitimohen për patriotizëm nga disa “analistë” të Tiranës që kauzën kombëtare e përjetojnë si sport sezonal.
Dashuria për Kosovën ishte dhe mbetet forca kryesore shtytëse e zhvillimit kombëtar të shqiptarëve.