Telegrafi

Pallaska: Frika e Jahjagës se mund të bëjë skandale, e ka kufizuar fushëveprimtarinë e saj

Avokati Dastid Pallaska, në emisionin “Info – Box” të RTV Dukagjini, ka theksuar se presidentja në shkuarje, Atifete Jahajga, ka bërë një punë të mirë në pozitën e të pares së vendit.

Ai tha se nuk mund të flitet për një lloj rezultat rezultati që mund të mbahet mend nga ana e Jahjagës, duke shtuar se “shefja e shtetit ka qenë e përcjellë nga frika se mund të bëjë ndonjë skandal, e që kjo e ka kufizuar fushëveprimin e saj”.

“Unë mendoj që ajo nuk ka pasur çka të bëj më shumë. Një kredit që i jepet është se ajo ka tentuar ta ruaj ekuilibrin, gjatë emërimeve nëpër institucione, në mes profesionistëve dhe emërimeve politike”, ka thënë Pallaska.

Sipas tij, Presidentja ka qenë peng i këshillave që të mos bëj asnjë gabim, duke bërë sa më pak veprime.

“Gradualisht presidentja e ka tejkaluar këtë sfidë pas disa viteve, përkundër asaj që ka pasur disa ngecje, në bazë të disa incidenteve të rastit. Ka arritur që ta krijojë një imazh pozitiv jashtë Kosovës, por çuditërisht tash ekziston një imazh pozitiv për të edhe brenda Kosovës”, ka shtuar Pallaska.

Ai duke folur për presidentin në ardhje, Hashim Thaçin dhe presidenten në shkuarje, Atifete Jahjaga, ka thënë se kemi të bëjmë më dy persona që nuk mund të krahasohem në asnjë mënyrë më njëri tjetrin, të cilët sipas tij, kanë ardhur në pushtet nga rrethana dhe prapavija krejt të ndryshme. /Telegrafi/