Site icon Telegrafi

Pallaska: Askush në Kosovë nuk ka informata për dinamikën e Gjykatës Speciale (Video)

Avokati Dastid Pallaska në një intervistë dhënë Telegrafit ka folur për fillimin e punës së Gjykatës Speciale në Kosovë, ku tha se ende nuk ka informacion se kur do të fillojë të procedojë me aktakuzat e para kjo gjykatë.

Sipas tij, kjo gjykatë veçse ka filluar në një farë mënyrë të punoj, pasi këtë po e dëshmon edhe vizita që po i bën Kosovës kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova.

“Askush në Kosovë nuk ka informatë për dinamikën e kësaj gjykate. Pas miratimit të rregullave të proceduara dhe miratimit të gjykatës kjo në një farë mënyrë veçse ka filluar të punoj. Vizitën që po e zhvillon tani kryetarja e kësaj gjykate mua më bën me dije se kjo gjykatë është shumë afër publikimit të aktakuzave”, ka thënë ai.

Pallaska po ashtu tha se shpreson që kjo gjykatë nuk do të filloj me veprime të arrestimeve spektakulare.

“Shpresojmë që këta njerëz t’i ftojë në mënyrë të rregullt, pa bërë filma. Nuk ka pas takime zyrtare me bartës, vetëm me Ministrinë e Drejtësisë, edhe pse është takim teknik. Kjo gjykatë është një hap para fillimit të punës”, thekoi ai për Telegrafin.

I pyetur se kush mund të jenë ata që do t’ju ngritën aktakuza nga kjo gjykatë ai tha: “Nuk e di se kush janë shënjestrat”.

Pallaska gjatë intervistës po ashtu tha se ka qenë kundër kësaj gjykate.

“Sa më shumë të kemi gjykata të tilla ne do të jemi më larg punëve tona që t’i bëjmë si duhet”, potencoi avokati Dasdid Pallaska. /Telegrafi/

Exit mobile version