Site icon Telegrafi

Palët akuzojnë njëra-tjetrën, OKB dënon zbulimin ‘thellësisht shqetësues’ të 92 emigrantëve të zhveshur në kufirin Greqi-Turqi

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët ka thënë se është “thellësisht e shqetësuar” nga zbulimi i pothuajse 100 burrave të zhveshur në kufirin midis Greqisë dhe Turqisë.

Dhe sipas BBC, përcjell Telegrafi, të dy vendet kanë fajësuar njëri-tjetrin për gjendjen e vështirë të 92 emigrantëve.

Greqia ia hodhi fajin Turqisë, duke thënë se “sjellja” e saj ishte “turp për qytetërimin”.

Ndërsa Turqia i cilësoi pretendimet e fqinjit të saj si “lajme të rreme” dhe e akuzoi atë për “mizori”.

Ndërsa të dyja palët fajësuan njëra-tjetrën, agjencia e refugjatëve e Kombeve të Bashkuara bëri thirrje për një hetim dhe tha se ishte “thellësisht e shqetësuar nga raportet dhe imazhet tronditëse”.

Ndryshe, policia greke tha se shpëtoi 92 burrat që u zbuluan të zhveshur dhe disa me lëndime, afër kufirit të saj verior me Turqinë të premten.

Ata thanë se një hetim nga ata dhe zyrtarë të agjencisë kufitare të BE-së, Frontex, gjeti prova se emigrantët kaluan lumin Evros në territorin grek me gomone nga Turqia.

“Policët kufitarë… zbuluan 92 migrantë të paligjshëm pa rroba, disa prej të cilëve kishin lëndime në trup”, thuhej në deklaratë.

Autoritetet greke thanë se burrave iu dhanë menjëherë veshje, ushqim dhe ndihma e parë.

Siç vë në pah BBC, nuk ishte e qartë se si dhe pse burrat kishin humbur rrobat e tyre.

E Frontex ka bërë të ditur se burrat ishin kryesisht nga Afganistani dhe Siria dhe se zyrtari i të drejtave themelore të organizatës ishte informuar për një shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut.

Kjo ka nxitur edhe reagime në Turqi, me postimet në Twitter në emër të presidentit që mohojnë çdo përgjegjësi për atë që kishte ndodhur dhe fajësojnë Greqinë për situatën “çnjerëzore”.

“Makina greke e lajmeve të rreme është rikthyer në punë”, shkroi në faqen e mediave sociale ndihmësi kryesor i shtypit i presidentit Recep Tayyip Erdogan, Fahrettin Altun.

Ai i cilësoi akuzat si “të kota dhe qesharake”, duke akuzuar Greqinë se nuk i respekton refugjatët duke postuar fotot e tyre.

Në përgjigje, UNHCR tha se është “thellësisht e shqetësuar nga raportet dhe imazhet tronditëse”, por tha se nuk kishte qenë në gjendje të fliste drejtpërdrejt me grupin ende – diçka që shpresonte se do të ndodhte në ditët në vijim.

“Ne dënojmë çdo trajtim mizor dhe poshtërues dhe bëjmë thirrje për një hetim të plotë”, tha UNHCR për BBC. /Telegrafi/

Exit mobile version