Site icon Telegrafi

Pal Lekaj dëshmitar në gjykimin e të akuzuarve për keqpërdorime me patentë shoferë

“Nuk do të kisha lejuar që një këshilltar politik të keqpërdorte detyrën që ia kam dhanë, për ndonjë përfitim apo presion…”.

Kështu u shpreh Pal Lekaj para Gjykatës i ftuar si dëshmitar i Prokurorisë në gjykimin e tre të akuzuarve për keqpërdorime me patentë shoferë në Ministrinë e Infrastrukturës.

Lekaj ka qenë ministër në kohën kur pretendohet se kanë ndodhur keqpërdorimet.

Të akuzuar në këtë rast janë Nebih Shatri, ish-ushtrues detyre i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Kadri Krasniqi, ish-drejtori i Departamentit të automjeteve, dhe Pjetër Ndou, ish-këshilltar politik i Lekajt.

Ata dolën edhe një herë tjetër para Gjykatës për t’u përballur me akuzat që rëndojnë ndaj tyre për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ushtrim ndikimi.

Rasti ka të bëjë me keqpërdorime të dyshuara të kalimit të testeve për patentë shoferë, me punësim dhe tenderë.

Në seancën e datës 18.04.2024, ish-ministri Pal Lekaj tha se në kohën sa ka qenë ministër ka pasur mungesë të ekzaminuesve në Ministrinë e Infrastrukturës.

Ai para Gjykatës shtoi se nuk ka pasur informacion nëse ka pasur ndikim nga Pjetër Ndou- këshilltari i tij politik në zyrtarët e Ministrisë për kalimin e provimit për patentë shofer të ndonjë kandidati.

“Sa i përket presionit nga këshilltarët, kushdo që kanë qenë të emëruar nga unë nuk kam pasë asnjë informacion dhe nuk do të kisha lejuar që një këshilltar politik të keqpërdorte detyrën që ia kam dhanë për ndonjë përfitim apo presion dhe e them me përgjegjësi të plotë qe nuk ka pasë asnjë presion as nga Pjetër Ndou dhe as nga këshilltarët e tjerë” – tha Lekaj në dëshminë e tij.

Për këtë rast gjatë seancës së sotme përveç ish-ministrit Pal Lekaj u dëgjuan edhe 6 dëshmitarë të tjerë të prokurorisë, të cilët mbështetën deklaratat e tyre të dhëna gjatë fazës hetimore.

Dëshmitarët e tjerë që u dëgjuan në këtë rast në seancën e datës 18.04.2024 ishin Faton Gutaj, Ariana Shoshi, Donat Syla, Avni Mazreku, Mirdit Emini dhe Hajdar Sutaj.

Të akuzuarit Shatri e Krasniqi akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kurse Ndou për ushtrim ndikimi.

Gjykimi për këtë rast udhëhiqet nga gjyqtarja Fatime Dërmaku, kurse aktakuza përfaqësohet nga prokurorja Arbëresha Raça-Shala.

Gjykimi do të vazhdojë në muajin qershor me dëgjimin e dëshmitarëve të radhës.

Dosja e Prokurorisë

Nebih Shatri akuzohet se duke qenë u.d. sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, nuk ka lidhur kontrata me dhjetëra ekzaminues për patentë shoferë, të angazhuar në Ministri dhe nuk kishte zhvilluar procedurë rekrutimi për ta.

Dosja e Prokurorisë thotë se veç kësaj ai kishte ndryshuar edhe emrat e ekzaminuesve që i kishte propozuar drejtori i Departamentit për patentë shoferë.

Ndërsa, Kadri Krasniqi akuzohet se kishte lejuar hapjen e konkursit për provimin për licencimin për ekzaminues, në dijeni të të akuzuarit Nebih Shatri, pa planifikim paraprak.

Për ushtrim ndikimi në këtë rast akuzohet Pjetër Ndou, i cili ka qenë këshilltar politik në këtë Ministri.

Dosja e Prokurorisë thotë se ai ka ndikuar te ministri i atëhershëm Pal Lekaj dhe zyrtarët e Ministrisë që persona të caktuar të kalojnë provimin teorik për patentë shoferë.

Tutje ai akuzohet se ka ndikuar edhe në një tender që një operator ekonomik të fitojë linjën e transportit, dhe një ndikim tjetër në përzgjedhjen e kandidatëve për ekzaminues.

Periudha kohore e kryerjes së këtyre veprave penale, sipas Prokurorisë, dyshohet të jetë periudha 2016-2018.

Për këtë rast janë 19 dëshmitarë të cilët do të dëgjohen dhe në mesin e provave ka edhe raporte të përgjimeve, raporton Kallxo.

Exit mobile version