Site icon Telegrafi

Pakot e dyshimta në SHBA, reagon Shtëpia e Bardhë

Një mjet i dyshimtë i është dërguar edhe mediumit amerikan CNN, pasi gjatë ditës mjete të dyshuara u dërguan në shtëpitë e ish-presidentëve Bill Clinton dhe Barack Obama.

Punonjësit e CNN janë urdhëruar që të evakuohen nga ndërtesa, pasi mjeti i dyshuar ishte gjetur në objekt.

Mjeti shpërthyes kishte tela, sipas burimeve të Policisë së Nju Jorkut. Autoritetet e sundimit të ligjit kanë trajtuar mjetin si një shpërthyes i vërtetë, transmeton CNN.

CNN ka mësuar se ndërkohë një tjetër mjet i dyshuar shpërthyes është dërguar edhe në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Sipas policisë, mjeti ishte i ngjashëm me atë që i ishte dërguar të hënën miliarderit George Soros, si dhe atyre që u ishte dërguar sot Obama-s dhe Clinton.

Një burim i autoriteteve të sigurisë amerikan tha se ka dyshime se ka ndërlidhje mes pakove të dërguara natën e kaluar në shtëpinë e Soros dhe atyre që ishin dërguar sot.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, ka dënuar ashpër dërgimin e pakove të dyshuara me eksplozivë, duke thënë se këto akte të dhunës janë plotësisht të papranueshme.

“Kushdo përgjegjës do të mbajë përgjegjësi në masën më të plotë të ligjit. Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit po hetojnë dhe do të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për të mbrojtur këdo që kërcënohet nga këta frikacakë”, ka thënë ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version