Posta e Kosovës ka dalë me një njoftim të rëndësishëm për qytetarët, duke paralajmëruar për një mashtrim të mundshëm që po qarkullon përmes SMS-ve.
Sipas njoftimit thuhet se palë të panjohura po dërgojnë mesazhe qytetarëve duke u paraqitur si përfaqësues të Postës së Kosovës, me qëllim të mashtrimit dhe vjedhjes së të dhënave personale.
Posta e Kosovës ka njoftuar se menjëherë pas marrjes së informacionit për këtë situatë, ka informuar organet kompetente dhe është duke bashkëpunuar me to për të zbardhur këtë rast.
Ajo ka theksuar se komunikimi me qytetarët ndodh vetëm në kanalet e saj zyrtare, si: uebfaqja www.postakosoves.com, faqja në Facebook: Posta e Republikës së Kosovës, Instagram: Posta e Kosovës dhe LinkedIn: Posta e Kosovës.
Po ashtu edhe përmes numrave zyrtarë të Postës të cvilët janë: 038 221631 dhe 045 851001.
Posta e Kosovës i bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të mos klikojnë në asnjë link të dërguar përmes këtyre mesazheve, si dhe të mos bashkëpunojnë me numra që nuk janë të Postës së Kosovës.
“Të nderuar qytetarë, ju lutëm mos klikoni asnjë link të dërguar përmes këtyre mesazheve dhe të mos bashkëpunoni me numra që nuk janë të Postës së Kosovës. Në asnjë rast, Posta e Kosovës nuk do t’ju kërkojë të dhëna personale apo numër kartele bankare. Edhe posta të tjera në rajon janë sulmuar nga keqbërës të ngjashëm”, thuhet në njoftim.
Posta e Kosovës thekson se është e angazhuar për të mbrojtur qytetarët dhe për të bashkëpunuar me organet përkatëse në këtë çështje, si dhe për të parandaluar mashtrimet e mundshme. /Telegrafi/