Ish-deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj ka reaguar në lidhje me “Paketën Antishpifje”, e cila u kthye sërish për shqyrtim në Kuvend nga presidenti Ilir Meta.
Përmes një postimi në ‘Facebook’ Mehmetaj tha se reagimi i Zyrës së OSBE për Mediat lidhur me dekretin e Metës për ta rikthyer “Paketën Antishpifje” në parlament, jo vetëm mbështet vendimin e Presidentit, por i jep të drejtë edhe kundërshtimit pothuaj 1 vjeçar të komunitetit të gazetarëve dhe opozitës ndaj kësaj pakete.
Ajo tha mes të tjerash se; ““Paketa Antishpifje” e miratuar pak javë më parë nga zyra noteriale e Edi Ramës (kupto Parlamenti i Shqipërisë) nuk do e shohë dritën e diellit.”. Vendimi i Metës u përkrah edhe nga Reporterët pa Kufij.
Reagimi i plotë:
“A nuk është turp e për të ardhur keq që ndërkohë që qeveria e kryeministri ynë drejtojnë Presidencën e OSBE, atakohen nga vet ky institucion si shantazhues të medias e pengues të lirisë së shprehjes e mendimit?
Reagimi i Zyrës së OSBE për Mediat lidhur me dekretin e Presidentit për ta rikthyer “Paketën Antishpifje” në parlament, jo vetëm mbështet vendimin e Presidentit të Republikës, por i jep të drejtë edhe kundërshtimit pothuaj 1 vjeçar të komunitetit të gazetarëve dhe opozitës ndaj kësaj pakete.
Reagimi i sotëm i zyrës së OSBE për Median nuk është i pari. Shprehimisht ata kanë folur mbi kërcënimet që “Paketa Antishpifje” i sjell medias. Edhe sot ata ritheksuan nevojën që kjo paketë të rishikohet dhe të rishkruhet duke u shqetësuar mbi të gjitha nga gjobat dhe përdorimi i institucioneve shtetërore si vegla presionuese.
“Paketa Antishpifje” e miratuar pak javë më parë nga zyra noteriale e Edi Ramës (kupto Parlamenti i Shqipërisë) nuk do e shohë dritën e diellit. Edhe nëse prapë ky akt do noterizohet nga zyrat ilegjitime parlamentare, asnjë shqiptar nuk do e tolerojë zbatimin e tij, sepse asnjë shqiptar nuk mund ta tolerojë rikthimin e diktaturës në vend”./Ballkanweb/