Qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë me natën e dytë të protestës në ballkon, duke shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me zhvillimet e fundit politike.
Qytetarët ftohen të dalin në ballkonet e tyre ose dritare në ora 20:00 dhe të krijojnë zhurmë me mjete të ndryshme të cilat nuk janë të rrezikshme, transmeton Telegrafi.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës kurrë nuk kanë qenë më të revoltuar se tash, andaj ne do të vazhdojmë me natën e dytë të #protestojmënballkon duke i’u drejtuar skenës politike se qytetarët dhe përgjegjësia publike duhet të jetë interesi parësor dhe i vetëm. Kërkojmë që krerët e koalicionit qeverisës, Presidenti dhe partitë opozitare të bashkohen për mobilizim të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 dhe jo të fokusohen në interesat partiake dhe personale të tyre”, thuhet në njoftimin e bërë për media nga grupi i aktivistëve apartiak (Replikë).
Më tej në njoftim thuhet se protesta në ballkon duhet të zgjasë 5 minuta.
“Më 20 mars, përmes daljes të secilit prej neve në ballkon ose dritare në ora 20:00 për 5 minuta në të gjithë qytetet dhe fshatrat e Kosovës po krijojmë zhurmë me mjete të ndryshme të cilat nuk janë të rrezikshme si (çelësa ose tenxhere dhe lugë), për të kërkuar reflektim nga të gjitha partitë politike dhe udhëheqësit institucional në Kosovë ndaj situatës së krijuar dhe panikut që është duke e përjetuar çdo shtetas në Kosovë”, vijon njoftimi.
Ndryshe, mbrëmë qytetarë të shumtë gjithandej Kosovës kanë protestuar në ballkone, duke krijuar zhurmë me mjete të ndryshme./Telegrafi/