Site icon Telegrafi

Pakënaqësia ndaj shërbimeve publike nxit emigracionin në Shqipëri dhe rajon

Banka Qendrore e Austrisë e cila monitoron procesin e integrimit në Bashkimit Evropian të rajonit ka evidentuar nëpërmjet një anketë se, nivelet e larta të emigracionit në Ballkan po shkaktohen nga pakënaqësia që qytetaret kanë për shërbimet publike.

“Gjetjet tona sugjerojnë se pakënaqësia me cilësinë e shërbimeve publike në vendet e origjinës rrit gjasat që individët të kenë synime emigrimi. Zbërthyer sipas llojit të shërbimit publik konstatojmë se pakënaqësia me sigurimet shoqërore, shëndetësore, infrastrukturën publike dhe shërbimet që synojnë bizneset dhe zhvillimi rajonal shoqërohet me aspirata më të larta për emigrim”, vuri në dukje studimi.

Ekspertët Austriakë bënë me dije se fenomeni është më i dukshëm në Shqipëri dhe vitet e fundit po vihet re se, njerëzit me fëmijë të vegjël synojnë të emigrojnë më shumë si pasojë e pakënaqësive për shërbimet arsimore, shëndetësore dhe sigurinë publike.

Ndikimi më i lartë është gjetur për Shqipërinë, ku vlerësimi i koeficienteve për secilin nga shërbimet publike është dy herë më i lartë se për Rumaninë dhe Serbinë.

Emigrimi i vazhdueshëm nga Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, veçanërisht i të rinjve po rrit me shpejtësi plakjen e popullsisë, po ndikon në rënien e forcës së punës dhe po rrit raportet e varësisë, duke i bërë edhe me të mprehta sfidat demografike.

Faktorë që janë identifikuar si shtytës të rëndësishëm të emigrimit mbeten të vështira për t’u adresuar drejtpërdrejt nga politikëbërësit, cilëson studimi. Për këtë arsye, ata konsideruan me rëndësi studimin e faktorëve kontribuues në emigracion, të cilat më pas duhet të trajtohen nga politikëbërësit.

Lidhja midis kënaqësisë së njerëzve me cilësinë e shërbimeve publike dhe emigrimit mbart rrezikun e një cikli vicioz. Kur më shumë individë emigrojnë dobësohen financat publike, gjë që lë më pak hapësirë për përmirësimin e cilësisë e shërbimeve publike dhe kjo mund të çojë në përkeqësim të mëtejshëm të emigracionit.

Iniciativat e zhvillimit ekonomik rajonal do të siguronin një mjedis që mund të zvogëlojë aspiratat e individëve për të lëvizur jashtë vendit. Nevojiten përmirësime të shërbimeve publike që njerëzit të qëndrojnë. Në të njëjtën kohë, këto zhvillime mund të kenë një ndikim pozitiv në rikthimin e emigrantëve sugjeron studimi. /Monitor/

Exit mobile version