Telegrafi

Pakënaqësi për rezultatet e Kosovës, KE i FFK-së do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të dalë nga kjo gjendje

Komiteti Ekzekutiv (KE) i FFK-së, të mërkurën ka mbajtur mbledhjen e radhës nën drejtimin e presidentit Fadil Vokrri, ku diskutoi për shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës.

KE shqyrtoi dhe analizoi ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës si dhe rezultatet e arritura dhe pas shumë diskutimeve konstatoi se me gjithë angazhimin dhe pengesat e natyrave të ndryshme të ekipit përfaqësues, nuk është i kënaqur me rezultatet e arritura, ndaj në ditët në vijim KE do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të dalë nga kjo gjendje me qëllim të përmirësimit të kësaj gjendje.

Edhe një herë, Komiteti Ekzekutiv konstatoi përmbylljen me sukses të garave të të gjitha rangjeve, konkurrencave dhe grup-moshave të reja.

Po ashtu, KE shqyrtoi edhe përgatitjet që po bëhen për fillimin e edicionit të ri, i cili do të nisë më 19 gusht dhe konstatoi se gjithçka po shkon sipas dinamikës së paraparë, thuhet në njoftimin e FFK-së.

KE edhe njëherë theksoi nevojën e funksionalizimit të Lidhjeve Rajonale të Futbollit dhe aftësimin e zyrtarëve të klubeve, për çka janë duke u mbajtur trajnime për regjistrimin e futbollistëve online (“FIFA Connect Platform”). KE shqyrtoi edhe kërkesa dhe parashtresa drejtuar KE-së. /Telegrafi/