Site icon Telegrafi

Pak tregti Kosovë – Shqipëri

Barrierat e vazhdueshme kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë penguar rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy shteteve shqiptare, shkruan sot, gazeta Zëri.

Gjatë viteve të kaluara për t’i penguar eksportet e Kosovës në Shqipëri Dogana e këtij shteti vendoste barriera të ndryshme e ku më pastaj edhe pala kosovare vepronte njëjtë.

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) shihet se gjatë muajit shtator të këtij viti eksporti i Kosovës në Shqipëri ka qenë 5.8 milionë euro e derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak ai ka qenë 4.1 milionë euro.

Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat e ASK-së shihet se eksportet e Kosovës në Shqipëri përbëjnë 17 për qind të eksporteve totale të vendit vetëm për muajin shtator.

E në anën tjetër po gjatë këtij muaji importet e Shqipërisë në vendin tonë kanë qenë 12.8 milionë euro derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak ato kanë qenë 9.4 milionë euro, e ku sipas të dhënave të ASK-së importet nga ky shtet zënë vend me 5,2 për qind në totalin e importeve të Kosovës.

Njohës të rrethanave ekonomike në vendin tonë thonë se shkëmbimet tregtare në mes të dy shteteve shqiptare janë tejet të ulëta, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për t’i rritur ato. /Zëri/Telegrafi/

Exit mobile version