Site icon Telegrafi

Pak shanse për gratë, për të udhëhequr në sektorin privat

Ilustrim

Saxhide Mustafa

Barazia midis burrave dhe grave është një qëllim i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të vendit. Andaj,

përfshirja e grave në vendimmarrje, përkatësisht në proceset menaxheriale në sektorin privat, është ndër komponentët qenësore të fuqizimit të tyre ekonomik dhe social.

Të dhënat e publikuara më herët, por edhe ato të nxjerra nga një hulumtim i kohëve të fundit nga Instituti Riinvest, dëshmojnë se përkundër disa ecurive pozitive në realizmin e komponentëve të caktuara të barazisë gjinore, gratë nuk janë të përfaqësuara proporcionalisht në tregun e punës, e sidomos në strukturat udhëheqëse të bizneseve. Vetëm një pakicë e tyre arrijnë të pozicionohen në pozita të larta vendimmarrëse. Kjo paraqet një mangësi të madhe në kapitalin social të vendit, ngase përfitimet e shoqërisë për përfshirjen e grave në pozita vendimmarrëse është e rëndësishme. Kjo për arsye se përfshirja e barabartë mes burrave dhe grave në krijimin vlerës të re i zgjeron perspektivat zhvillimore, rrit kreativitetin dhe inovacionin, diversifikon marrjen e kompetencave, redukton konfliktet dhe rrjedhimisht ndikon në përmirësimin e procesit të vendimmarrjes brenda kompanisë dhe ngritë në mënyrë esenciale cilësinë e barazisë gjinore.

Hulumtimi i realizuar së fundmi nga Institutit Riinvest me mostrën prej 250 bizneseve të mesme dhe të mëdha në Kosovë, tregon se vetëm 9.6 për qind e grave janë në pozita vendimmarrëse. Ndonëse kjo mund të duket se ka pasur rritje të lehtë dhe shënon një përmirësim gjatë dekadës së fundit, si fakt tregon për një problem serioz të shoqërisë për realizmin e barazisë kuptimplote gjinore.

Arsyeja pse gratë nuk janë të përfaqësuara në struktura vendimmarrëse në sektorin privat, nuk ka të bëjë aq me mungesën e kompetencave apo kualifikimeve të tyre, sa me praninë e diskriminimit gjinor ku individët gjykohen në bazë të karakteristikave mesatare të një grupi dhe jo në bazë të karakteristikave të tyre individuale. Edhe pse mund të mos jetë pengesë kualifikimi i tyre, ato shpesh nuk merren parasysh në procesin e promovimit dhe vlerësimit. Prandaj, diskriminimi jo vetëm që i çon në pozitë të pabarabartë të grave, por njëkohësisht krijon humbje të efikasitetit të përgjithshëm social, duke pasur parasysh humbjen e talentit dhe mungesën e stimujve për të investuar në kapitalin njerëzor dhe përfundimisht në shpërndarje joefikase të burimeve njerëzore

Nga ana tjetër, një e treta e grave kanë deklaruar se synojnë të jenë në pozita vendimmarrëse, edhe pse po të njëjtat vlerësojnë se nuk i kanë gjasat e mira për të marrë atë pozitë. Vetëm rreth një e katërta prej tyre beson se do të ia arrijë t’i përmbush këto ambicie, por hulumtimi dëshmon se kjo nuk e zbeh synimin për ta arritur qëllimin e tyre.

Në këtë rrugë gratë ballafaqohen me perceptime e paragjykime të cilat ende dekurajojnë ato për të mos aplikuar në pozita vendimmarrëse. Më shumë se një e treta e grave në sektorin privat vlerësojnë se ekziston perceptimi se burrat janë udhëheqës më të përshtatshëm. Numër i ngjashëm i grave vlerësojnë se gratë për shkak të obligimeve familjare nuk kanë kohë të mjaftueshme të angazhohen në pozita vendimmarrëse. Po ashtu, 17.6 për qind e grave vlerësojnë se mungon vizion i institucionit për t’i inkurajuar gratë për të aplikuar për pozitë vendimmarrëse, ndërkaq të dhënat e hulumtimit dëshmojnë të kundërtën e këtyre paragjykimeve. Rreth 68 për qind e grave vlerësojnë se vendimet që marrin gratë janë të zbatueshme në plotësi nga ana e vartësve. Kjo gjetje tregon se, megjithatë, stereotipat gjinorë dhe paragjykimet për gratë në pozita vendimmarrëse janë në rënie dhe se po ndryshon gradualisht në aspektin pozitiv.

Hulumtimi dëshmon gjithashtu se ende janë të pranishme shumë barriera për rritjen e aktivitetit ekonomik të grave. Një e treta e grave vlerësojnë se ndër sfidat që gratë kanë është edhe mungesa e besimit për gratë, ndërsa 20 për qind vlerësojnë se mungon përkrahja shoqërisë. Shkathtësitë menaxheriale, si problem, rangohen më ultë me 14.4 për qind. Ndër sfidat më të mëdha që gratë kanë është mungesa e vetëbesimit. Një e treta e respondenteve vlerësojnë këtë si një pengesë gjithashtu. Ndër problemet e tjera janë edhe paga e ulet (21 për qind), mungesa e benefiteve (13.3 për qind), mos zbatimi i ligjit të punës (9.1 për qind), kontratat afatshkurtra, mungesa e orarit fleksibil (14 për qind), orari i papërshtatshëm (11 për qind), pagesa jo e rregullt (4.7 për qind).

Rezultatet e këtij studimi dëshmojnë se forcimi i pozitës së grave në sektorin privat midis të tjerash edhe duke u përfaqësuar në mënyrë adekuate në pozita menaxheriale dhe vendimmarrëse duhet të konsiderohet si një nga komponentët themelorë të fuqizimit të grave në jetën ekonomike, sociale dhe politike të vendit. Kjo kërkon një aktivizim më të madh të institucioneve qeverisëse, të organizatave të shoqërisë civile dhe strukturave të qeverisjes korporatvive dhe përgjegjësisë sociale të korporatave. Vendosja e masave afirmative për inkurajimin e grave për t’u promovuar në pozita vendimmarrëse, nga lidershipi i bizneseve dhe asociacionet e biznesit del të jetë një nga masat e nevojshme. Më tutje duhet rritur edhe aktivitetet për ngritjen e kapaciteteve, duke rritur pjesëmarrjen e grave në trajnimet në fusha të ndryshme, në fushën e lidershipit, udhëheqjes respektivisht në fushën menaxheriale (menaxhimi i stresit, ekipit, të udhëheqjes në përgjithësi). Kjo do të mund të rriste motivimin e tyre për të synuar pozita vendimmarrës. Po ashtu, promovimi i grave të suksesshme, fleksibiliteti në orarin e punës, përshpejtimi i votimit në Kuvendin e Kosovës i ligjit të punës, respektivisht dispozita e lejes së lehonisë dhe përfshirjen e pushimit prindëror (sipas modaliteteve të propozuara nga shoqëria civile), do të nxisnin një qëndrim më afirmativ të sektorit privat në planin e inkurajimit të grave që të synojnë pozita vendimmarrëse. Më tutje duhet që ndërmerren fushata vetëdijesuese lidhur me rëndësinë e përfshirjes së grave në vendimmarrje dhe luftimin e stereotipeve gjinore.

Autorja është bashkëpunëtore e lartë në Institutin Riinvest. Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Vendimmarrja e grave ne sektorin publik dhe privat”, mbështetur nga Qeveria e Kosovës – Agjencia për Barazi Gjinore.

 

 

Exit mobile version