Site icon Telegrafi

Pak para vdekjes, presidenti i fundit i bardhë i Afrikës së Jugut regjistroi fjalimin lamtumirës: Kërkoj falje për aparteidin

Presidenti i fundit i bardhë i Afrikës së Jugut, Frederik de Klerk, i cili vdiq sot, i kritikuar shpesh për mungesë pendimi për aparteidin, kërkoi falje pa rezervë përmes një videoje të publikuar pas vdekjes.

“Unë kërkoj falje me gjithë zemër për dhimbjen, vuajtjen, poshtërimin dhe dëmin e shkaktuar ndaj personave me ngjyrë dhe indianëve të Afrikës së Jugut. Ky është mesazhi im i fundit për popullin e Afrikës së Jugut”, tha ai në një videon e publikuar nga fondacioni i tij. Ai deklaroi se do të kishte shumë komente për situatën në vend, por gjithashtu shpjegoi se dëshiron të regjistrojë një mesazh të shkurtër.

“Kritikët vazhdojnë të më akuzojnë se e justifikoj aparteidin në një mënyrë apo në një tjetër”, tha ai, duke pranuar se ka mbrojtur segregacionin në rininë e tij dhe më vonë si parlamentar.

“Më vonë kam kërkuar falje shumë herë për dhimbjen dhe poshtërimin që shkaktoi regjimi. Shumë më besuan dhe disa jo. Më lejoni sot, në këtë mesazh të fundit, të përsëris faljen time pa rezerva”, tha ai, duke saktësuar se këtë e bën jo vetëm si ish-kryetar i Partisë Kombëtare që vendosi atë regjim në 1948, por edhe në emër të tij.

“Që nga fillimi i viteve 1980, pozicioni im ka ndryshuar plotësisht,” tha ai, duke iu referuar një përvoje të ngjashme me konvertimin.

“E kuptova se aparteidi ishte një gabim dhe se kishim arritur një pikë të pajustifikuar moralisht”, shtoi ai. Dhe ky konvertim u përhap në politikë.

Në një fjalim të papritur në parlament në vitin 1990, De Klerk njoftoi lirimin e Nelson Mandelës dhe legalizimin e Kongresit Kombëtar Afrikan (ANC) dhe partive të tjera që luftojnë kundër aparteidit, duke i hapur rrugën tranzicionit demokratik të vendit.

De Klerk ndau Çmimin Nobel për Paqe me Mandelën në vitin 1993, të cilin e kishte liruar nga burgu tre vjet më parë, por roli i tij në tranzicionin drejt demokracisë është ende në pikëpyetje.

Shumë persona me ngjyrë janë të zemëruar që ai nuk parandaloi dhunën politike në vitet e trazuara që çuan në zgjedhjet e vitit 1994. /Telegrafi/

Exit mobile version