Site icon Telegrafi

Pak para atentatit, në Romë arrestohet kamikazi shqiptar nga Maqedonia (Video)

Emri i fundit i njohur i tij është Karlito Brigande. Një ngjashmëri, jo pa lidhje, me personazhin e filmit të Brian de Palmas “Carlito’s way”, që tregon historinë e trafikantit portorikan të drogës Carlito Brigante. Personi me shtetësi maqedonase përdorte një grumbull emrash, që e bënin të padukshëm: Vullnet Maqellara, Ramazan Ciu, Darko Stojanoski, Stankov.

Fjala është për një kriminel të regjur, që kërkohej nga autoritetet maqedonase, e i cili ishte kthyer në një xhihadist të gatshëm që të hidhte veten në erë për të goditur “të pabesët”. Ai është një nga dy eksponentët e dyshuar të Shtetit Islamik, që u arrestua dje nën akuzën e terrorizmit ndërkombëtar nga Prokuroria e Romës, pas një hetimi të kryer nga karabinierët.

Ai ka qenë edhe më parë në burg për krime të ndryshme, çka konfirmon kontaktet gjithnjë e më të shpeshta midis krimit të organizuar dhe ISIS-it, një lloj shkrirjeje mes botës së integralistëve dhe rrjeteve të narkotrafikantëve dhe mafieve ndërkombëtare.

Karlito Brigande u kap gati rastësisht. Më 2 nëntor 2015 u arrestua nga karabinierët e Romës në zbatim të një kërkese nga autoritetet maqedonase, nën akuzë për “dëmtime të rënda, rrezik publik, mbajtje pa leje të armëve dhe eksplozivit, sulm ndaj përfaqësuesit të shtetit”.

Ky është profili i një krimineli ordiner. Por, kur futën emrin e tij në sistem, menjëherë lindën dyshime. Së pari ai përdorte shumë emra dhe, së dyti, kishte marrë pjesë në grupet ushtarake kosovare të UÇK-së. Më pas, në shtëpinë e tij në Romë u gjetën materiale, që çuan menjëherë hetimet drejt një piste të mundshme të pjesëmarrjes së Karlito Brigandes në xhihadin ndërkombëtar: shënime në gjuhën arabe, katër celularë, kontakte në Tunizi.

Sipas ditores La Stampa, Karlito Brigande kishte ruajtur fotografi dhe biseda audio nëpërmjet programit Telegram. Brigande kishte patur kontakte të vazhdueshme me Barhoumin, që kishte ikur kohë përpara në Irak për të përgatitur udhëtimin drejt zonave të kontrolluara nga ISIS-i

Në këtë drejtim, ka qenë shumë e qartë një bisedë mes të dyve, nga e cila kanë mbetur pjesë regjistrimesh: “Nuk ka problem, akhi (vëlla), inshallah çdo gjë do të shkojë në rregull edhe po të duash ti të vish këtu… jo… nuk mund të rregulloj gjithçka për ty. Mjafton që të bësh një program, kështu që edhe me dokumente false mund të vish inshallah”!

Ky ishte mesazhi i dërguar nga tuniziani në Irak për Briganden më 20 tetor të vitit të kaluar. Përgjigja e shqiptarit erdhi pak minuta më pas:”Selam alejkum, vëllai im, unë gati jam, nëse mundesh të më tregosh rrugët, çfarë duhet të bëj, nga ku, do të përpiqem inshallah avash-avash të vij aty. Ti e di që të dua fort”!

Më pas Barhoumi heq çdo hije mëdyshjeje lidhur me “misionin” e tyre me ISIS-in: “Shiko se, inshallah, mbaj shpresë, inshallah, unë për vete e kam vendosur… një… sulm vetëvrasës, domethënë të marr makinën me lëndë shpërthyese brenda për të bërë një sulm kundër qafirëve, inshallah, por, nëse ti më premton se do të vish pas një muaji, unë e shtyj datën e operacionit… shiko se po pres një vëlla që të vijë, inshallah, më kuptove? Mjafton të më thuash, kështu unë mund të pres. Kam folur me një mikun tim, po pres përgjigje, duhet pak kohë, inshallah, dhjetë ditë, njëzet ditë… mbase për pesë-gjashtë ditë. Sapo ta rregulloj ai, i hip avionit dhe shkoj aty ku the ti, inshallah. Allahu akbar”!

Në celularë hetuesit kanë gjetur pastaj kronologjinë e kërkimeve të ndryshme në Google lidhur me Shtetin Islamik, Abu Bakr Bagdadin, “vëllazërinë çeçene” dhe automatikëve model M 48.Gjithashtu, shqiptari kishte kërkuar në rrjet, me sa duket, pa sukses, udhëzime se si të zhdukësh emrin nga Google.

Pasi analizuan katër celularët, karabinierët e Repartit Operativ Special krijuan hartën e kontakteve të Brigandes, për të kuptuar nëse në Itali ekzistonte një celulë e vërtetë.

Verifikimet ende janë në proces e sipër, sipas hetuesve, dhe tani për tani Prokuroria po vlerëson se cili është roli i një shqiptaro-maqedonasi tjetër, Abdulla Kurtishit, të arrestuar para dy ditësh, pasi ishte arratisur nga burgu në vendin e tij, si dhe mbante dokumente të falsifikuara.

Pas arrestimit të Brigandes dhe shpalljes në kërkim të Barhoumit, që duhet të jetë në Irak, kanë nisur një numër kontrollesh, për të zbuluar çdo kontakt të mundshëm të dyshimtë të të dyve në Itali. /Shqiptarja/

http://www.lastampa.it/modulo/slideshow/jsp/video_embed.jsp?u=cb6ef07c-e7d9-11e5-8dc2-10d000b5c424&w=700&h=394

Exit mobile version