Telegrafi

Pak orë pas hapjes për subvencionim të teksteve shkollore, probleme në funksionim të platformës e-Kosova

Në platformën online të Qeverisë së Kosovës, e-Kosova, është hapur linku ku prindërit mund të aplikojnë për sigurimin e të hollave për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët e tyre.

Mirëpo pak orë pasi u publikua linku për aplikim për subvencionime, platforma ka rënë nga sistemi.

Ende nuk ka ndonjë njoftim nga institucionet përgjegjëse për mosfunksionim të platformës eKosova.

Një ditë më parë, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës (MASHTI), Arbërie Nagavci, njoftoi se për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë do të ndahen nga 80 euro, ndërsa për ata nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë nga 30 euro.

Lexo po ashtu Hapet platforma, këtu mund të aplikoni për subvencionim të teksteve shkollore

Sot (premte) në platformën e-Kosova është publikuar linku në të cilin prindërit mund të aplikojnë për subvencionim të teksteve shkollore për fëmijët nga klasa 1-5.

Ky është linku që është publikuar në platformën e-Kosova për aplikim për subvencionim të teksteve shkollore: https://ekosova.rks-gov.net/Service/5

Edhe Shtëpia Botuese “Dukagjini”, ka njoftuar se ka filluar punën me furnizimet me tekste shkollore.

Në njoftimin e tyre thuhet se janë të përgatitur me sasinë e nevojshme të teksteve shkollore për secilën lëndë e klasë.

“Njoftojmë të gjithë librarët nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës se Shtëpia Botuese ‘Dukagjini’ ka filluar punën me furnizimet me tekste shkollore”.

“Shtëpia Botuese ‘Dukagjini’ është e përgatitur me gjithë sasinë e nevojshme të teksteve shkollore për secilën lëndë e klasë, në mënyrë që të gjithë nxënësit të pajisen në kohë”, thuhet në njoftim./Telegrafi/