Rol të rëndësishëm në zhvillim ekonomik luan edhe pjesëmarrja e gruas në biznes. Në Kosovë sipas të dhënave të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, pjesëmarrja e grave në biznes nga viti 2012, është 17 % e bizneseve.
Kështu u tha në konferencën “Gratë ndërmarrësen-një makinë për krijim të vendeve të punës në Evropën Juglindore” .
Xhemajl Syla, udhëheqës i sektorit për projekte në fushën e NVM-ve, Agjencia për Investime dhe Përkrahje e Ndërmarrjeve, tha se janë të vetëdijshëm që pa implementimin e aktit të biznesit të vogël dhe bizneset e grave, vendi ynë nuk do të mund të jetë anëtare e Bashkimit Evropian. Ai ka treguar se janë disa kritere që vlerësohen nga BE-ja.
“Kosova për me mund me plotësua kriterin ekonomik për integrim në BE duhet të jetë në vlerësimin 4 plus, pra më tepër se katër ku shumica rezultateve prej politikave që dizajnohen në përputhje me aktin për biznes të vogël të jenë në implementim ose në përfundim e sipër të implementimit. Duke i pa shumicën e rezultateve konkrete…. del që diku mes 15 deri në 17 për qind biznese të regjistruara prej vitit 2012 deri sot janë regjistruar biznese me pronare gra. Kjo e reflekton në atë që projekti skema e granteve për ndërmarrje mikro të vogla dhe të mesme, ku prej 36 përfituesve, vetëm 6 janë gra, pra është 17 përqindëshi i pjesëmarrjes së tyre në biznese që neve na bënë me besuar që gratë munden me qenë gjysma e përgjegjësisë për fillimin e ndërmarrësish”, tha Syla.
Hamide Latifi, drejtoreshë ekzekutive e OJQ “Gratë në Biznes”-Kosovë , ka prezantuar projektin “Gratë Ndërmarrëse një makinë për krijim të vendeve të punës në Evropën Juglindore” , gratë ndërmarrëse –Praktikat e mira të të bërit biznese. Ajo ka treguar edhe për përfitimet e grave nga ky projekt.
“Është ngritur vetëdija dhe dialogu për kornizën e politikave për ndërmarrësin e grave në përputhje në principeve dhe hapjen e bizneseve të bizneseve të vogla të Evropës në disa vende ka filluar ndërtimi i politikave dhe disa tashmë prijnë Kroacia është liderë në këtë fushë ajo tashmë ka hartuar strategjinë për përkrahjen në ndërmarrësi të grave. Është pasuar nga Serbia dhe Mali i Zi , Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja janë në hapa të parë. Ndërkaq, Kosova besojmë se nuk do të shmanget nga kjo rrugë dhe po ashtu do të gjejë mënyrën që të jetë në hap me shtete e rajonit”, tha Latifi.
Leonora Kusari, menaxhere nacionale e programit Ekipi për përkrahjen e bizneseve të vogla BERZH , tha se në Kosovë femrat kanë vështirësi në qasje në financa si në menaxhim, po ashtu edhe në qasje në grante.
“Probleme të tjera të cilat i kemi hasë është që ka lloj-lloj grante sot për shembull në Kosovë të cilat ofrohen si për start up si për biznese ekzistuese, mirëpo përqindja e atyre femrave që marrin pjesë ne këto granet është jashtë zakonisht e ultë. Dhe arsyet kryesore janë që femrat nuk kanë pastaj mundësin ta paguajnë 50 për qind të kostos tjetër të grantit për shkak se nuk kanë pasur deri tash mundësi me shkuar te banka dhe me i thonë nëse ata mund ta mbështesin për atë 50 për qind të kostos. E tjetra është që nuk është vetëm çështja vetëm te qasja në financa i merr financimet po si ta menaxhon biznesin, si t’i gjejë partnerët si ta gjejë klientin tregun”, tha Kusari.
Po ashtu, gjatë kësaj konference janë shfaqë dy filma dokumentar ku kanë prezantuar gratë e ndërmarrëse në Evropën Juglindore dhe një film dokumentar për ndërmarrëset e suksesshme në Kosovë. Pas shfaqjes së filmave në panel kanë parashtruar edhe pengesat me të cilat ballafaqohen ndërmarrëset në Kosovë. /Telegrafi/