Site icon Telegrafi

Pajtohen presidenti Thaçi dhe ambasadori britanik, pinë kafe bashkë (Video)

​Ishte raportuar se i kanë prishur raportet me njëri-tjetrin, por ata dy sot krejt të relaksuar kanë pirë edhe kafe së bashku.

Pas homazheve që bënë te Memoriali Përkujtimor i Britanikëve në Prishtinë, presidenti Hashim Thaçi dhe ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, e kanë pirë edhe nga një kafe bashkë në një prej lokaleve aty afër.

Presidenti dhe ambasadori britanik, ndonëse nuk ishte konfirmuar zyrtarisht prej asnjërës palë, ishte raportuar se i kanë prishur raportet pas deklaratave të ashpra të presidentit Thaçi kundër ndërkombëtarëve, që ndërlidheshin me Gjykatën Speciale.

Ambasadori britanik ishte larguar nga audienca, duke mos pranuar se është larguar në mënyrë demonstrative, derisa Thaçi më pas kishte thënë se nëse ambasadori është larguar për shkak të punëve të tij është diçka normale, por nëse është larguar për shkak të fjalimit të tij është sjellje jo diplomatike, transmeton KP.

Se presidenti Thaçi, dhe ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, i kanë ftohur raportet mes tyre është parë qartë edhe në takimin që patën Presidenti dhe Kryeministri me ambasadorët e shteteve të NATO-s.

Thaçi shihet duke u përshëndetur me ambasadorët e tjerë sikurse edhe me atë britanik, por me këtë të fundit Presidenti nuk e zgjat përshëndetjen, duke e kthyer kokën në drejtim të personit tjetër për ta përshëndetur.

Exit mobile version