Aksioni për Nëna dhe Fëmijë i dorëzoi sot Klinikës së Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pesë fotollampa, pajisje këto esenciale për të trajtuar verdhëzën tek foshnjat.
Verdhëza është një problematikë e shpeshtë tek foshnjat. Shkaktohet për shkak të rritjes së nivelit të bilirubinës në gjak. Rreth gjysma e të porsalindurve të lindur në kohë dhe 75% e foshnjave të lindura para kohe manifestojnë verdhëz në ditët e para të jetës.
Fototerapia është një mënyrë joinvazive e trajtimit të verdhëzës e cila realizohet me anë të pajisjeve të quajtura fotollampa.
“Ndihma që po na vjen nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë përmes shumë miqve e donatorëve të tij po e lehtëson punën tonë në Klinikën e Neonatologjisë. Ne ballafaqohemi çdo ditë me nevoja të ndryshme dhe asnjëherë s’na humb vullneti për të punuar në shpëtimin e më të vegjëlve tanë”, thekson Mynevere Hoxha, drejtoreshë e Klinikës së Neonatologjisë në QKUK.
Ndërkaq, Arta Hasanaj nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, theksoi “ne jemi të përkushtuar ndaj ofrimit të ndihmës sonë për shpëtimin e jetës së fëmijëve tanë dhe gjithmonë fokusohemi në zgjidhjen e problemeve që na adresohen nga Klinika. Është kënaqësi të bëjmë dorëzimin solemn të fotollampave sot dhe kjo na motivon të punojmë edhe më shumë për të përmbushur nevojat e kësaj Klinike”.
Blerja dhe dorëzimi i fotollampave u tha se u bë e mundur falë donacioneve të mbledhura nga ngjarjet për ngritje fondesh të vitit 2015 “Çiklizmi rreth Kosovës për Fëmijët” dhe “Të Vallëzojmë për Nënat dhe Fëmijët”. /Telegrafi/