Site icon Telegrafi

Pajisje teknologjike për policinë dhe tiketa ngjitëse për detektimin e automjeteve pa regjistrim

Policia e Kosovës së shpejti pritet të furnizohet me pajisje teknologjike për identifikimin e automjeteve të paregjistruara në qarkullim. Ndërkaq, nga 1 marsi planifikohet pajisja e automjeteve të regjistruara me tiketa ngjitëse.

Këta janë dy hapat që ka ndërmarrë Byroja Kosovare e Sigurimeve në përpjekje për ta zvogëluar numrin e mjeteve motorike pa regjistrim e sigurim, që janë ende në qarkullim.

Drejtori ekzekutiv i Byros Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku ka bërë të ditur për Telegrafin se së shpejti pritet nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme për çështjen e automjeteve të paregjistruara.

Më saktësisht, Mazreku tha se do të pajisen pjesëtarët e Policisë së Kosovës me pajisje teknologjike, të cilat do të detektojnë automjetet e paregjistruara, që më pastaj ndalohen nga policia dhe largohen nga qarkullimi.

Kjo pritet të reduktojë dukshëm numrin e automjeteve të paregjistruara në trafik.

“Përveç stikerave, jemi duke e shty përpara edhe një tjetër gjë, që ka të bëjë me një investim me pajisje teknologjike te Policia e Kosovës.  I kemi kryer tashmë të gjitha diskutimet me ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla, kemi dërguar draftin e memorandum bashkëpunimit dhe sapo të nënshkruhet ajo marrëveshje ne kemi me i dhënë Policisë së Kosovës pajisjet për të njëjtin qëllim, që veturat të cilat dalin në trafik pa regjistrim dhe pa sigurim, ato me u dallu, me u ndal dhe me i hjek nga qarkullimi nga Policia e Kosovës dhe ato normalisht me u ç’lajmëru ose me u regjistru, por pa sigurim e regjistrim normal që jo”, tha Mazreku për Telegrafin.

Mazreku tha se çështja e stikerave është prej hapave të parë që kanë marrë për të larguar nga qarkullimi veturat pa regjistrim, pastaj edhe pajisjet teknologjike për identifikimin e këtyre veturave.

“Po vazhdojmë me stikera, deri në atë masë që e shohim që nuk është më e nevojshme që pajisjet teknologjike e kryejnë këtë punë, por ne enkas do të vazhdojmë së shpejti edhe me pajisje teknologjike, kjo varet krejt sa shpejt e nënshkruajmë marrëveshjen e bashkëpunimit me MPB, pastaj i porosisim pjesët edhe ua japim donacion policisë”, tregoi Mazreku.

Ai theksoi se pasi të ulet numri i automjeteve pa regjistrim në qarkullim, Kosova do të jetë në pozitë më të mirë sa i përket sigurimit të Kartonit të Gjelbër.

“Ne momentin që ne e ulim numrin e automjeteve të paregjistruara në trafik, ne jemi në një pozitë shumë më të mirë dhe do të shkojmë në formë alternative, për të bërë zgjidhje sa i përket kartonit të gjelbër dhe direkt me u anëtarësu në Bruksel. Aty është një problem politik, por ne nuk do të kapemi të pjesa politike politik, do të shohim një formë alternative.

Ndërkaq, ndër te tjera Mazreku ka përmendur edhe disa marrëveshje të nënshkruara me shtetet fqinje.

“Njëra prej punëve tjera është që kemi nënshkruar marrëveshje me Malin e Zi, tash së fundmi jemi duke bërë marrëveshjen e re me Shqipërinë, pasi ajo e 2006 është e vjetër, ne thuajse po i bëjmë shumë veprime në një kohë të shkurtër që me qenë në një situatë shumë më të mirë, në mënyrë që përfundimisht të bëhet zgjidhja edhe për karton të gjelbërt”, theksoi Mazreku.

Duke filluar nga data 1 mars 2022 është planifikuar të fillojë zbatimi i plotë i projektit për vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike me qëllim të identifikimit më të lehtë nëse këto mjete motorike qarkullojnë si të regjistruara ligjërisht ose jo.

Nga Banka Qendrore e Kosovës është bërë e ditur se ky institucion e mbështetë Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për implementimin e këtij projekti.

Duke folur për takimin që kanë pasur me BQK-në dhe Ministrinë e Infrastrukturës, Mazreku tha se në takim ka pasur zotime.

“Tash është edhe ana teknike, ana ligjore. Përndryshe, kur pajiset janë përmes Byrosë normal që shpenzojnë në baza mujore për me shtyp policën e sigurimit, në kuadër të atij shpenzimi ne jemi duke pritur me pa se sa ka me qenë kosto shtesë që na me shtyp edhe pjesën e stikerave,  edhe me i vendos potencialisht prej datës 1 mars pra deri atëherë me qenë gati”, tha Mazreku.

Tutje, ai u shpreh se kjo kosto do të jetë e kompanive të sigurimeve, që mbulohet ekstra jashtë polisës së sigurimit.

“Pra kjo nuk do të ndikojë në rritjen e kostos së sigurimit, as nuk ka me qenë ngarkesë për qytetar, do të jetë për një qëllim që është i përbashkët, me u detektu më lehtë veturat e paregjistruara. Në anën tjetër, për një vit ne mund ta ulim për 5 për qind numrin e veturave të paregjistruara”, u shpreh Mazreku. /Telegrafi/

Exit mobile version