Telegrafi

Pajaziti në Sofje: Serbia nuk po zbaton marrëveshjet e nënshkruara

Një delegacion i Kuvendit të Kosovës po merr pjesë në Konferencën Ndërparlamentare “Transformimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor – Një perspektivë parlamentare mbi rolin dhe të ardhmen e procesit të pranimit në BE”, e cila po mbahet në Sofje të Bullgarisë më 5 tetor 2018.

Zenun Pajaziti, anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane, bëri një përshkrim të gjendjes në Republikën e Kosovës lidhur me procesin e integrimit evropian, procesin e liberalizimit të vizave dhe rolin e Kuvendit në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu tha se në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kjo e fundit nuk është duke zbatuar marrëveshjet e arritura, si dhe kritikoi deklaratat e presidentit serb me rastin e vizitës në veriun e Kosovës.

Në konferencë është diskutuar rreth Samitit BE – Ballkani Perëndimor, prioritetet e agjendës së Sofjes, procesit të Samitit të Berlinit dhe mbështetjes së vazhdueshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e anëtarësimit në BE. /Telegrafi/