Telegrafi

Pahor në krye të raundit të parë të presidencialeve

Kreu i Shtetit slloven, Borut Pahor (qendër-e majtë) u pozicionua gjerësisht në krye të raundit të parë në zgjedhjet presidenciale, duke u gjendur në një pozitë të favorshme në raundin e dytë të zgjedhjeve më 12 nëntor.

Pas numërimit thuajse të plotë të votave, Pahor 53 vjeç fitoi 47,1 për qind të votave, kundrejt 25 për qind të rivalit të tij kryesor, Marjan Sarec, një ish-aktor i zgjedhur lokal i pavarur i moshës 40 vjeçare.

I zgjedhur me një shumicë të theksuar në 2012, Pahor ish-kryeministri social-demokrat ishte favoriti më i madh në këto zgjedhje përballë nëntë kandidatëve të tjerë. Disa sondazhe parashikonin gjithashtu një fitore të mundshme që në raundin e parë.

“Do të bëj gjithçka mundem për të bindur zgjedhësit se do të jem president më i mirë në pesë vitet e ardhshme”, deklaroi Pahor gjatë mbrëmjes, duke u shprehur besimplotë në fitoren e tij në nëntor.