Telegrafi

Pagesën e qirasë për banorët e veriut e kërkojnë rreth 400 aplikantë

Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, dr. Shaqir Demiri, tha se interesimi është shumë i madh dhe parashikohet që të interesuarve t’u jepet kohë për rreth një muaj për të aplikuar. Ai sqaroi se ky projekt i drejtorisë që ai drejton dhe i Komunës së Mitrovicës, është bërë me qëllim që sado pak të krijohen kushte më të mira për banorët që janë të zhvendosur nga veriu i qytetit dhe që cilët jetojnë në kushte të rënda.

Sipas tij, kërkesën për këtë projekt ia kanë drejtuar ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe strukturave qeveritare, ndërsa pastaj Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të përkrahet ky projekt, në bazë të të cilit parashihet që të ndahen 360 mijë euro për pagesën e qirasë për një vit për 300 familje të zhvendosura nga veriu i qytetit.

Ai theksoi se përfituesit e këtij projekti do t’i marrin mjetet, nga 100 euro në muaj, në mënyrë retroaktive duke llogaritur prej janarit të këtij viti.

Demiri tha se aplikimi nuk do t’i ndalohet askujt prej banorëve që janë të zhvendosur nga veriu, mirëpo duhet pasur parasysh se prioritet janë familjet që nuk i kanë shitur pronat në veri dhe që jetojnë në Kosovë. Po ashtu ai ka bërë të ditur se do të shqyrtohet edhe gjendja e tyre materiale etj.

Drejtori potencoi se do të formohet një komision adekuat që do të hulumtoj gjendjen edhe në terren. Sipas tij, nëpërmjet gjykatave do të nxirren të dhënat për shitblerjet e pronave në veri në mënyrë që të mos lejohen lëshime. /Telegrafi/