Site icon Telegrafi

Pagat problematike të anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të Maqedonisë, përmes një seance publike të mbajtur të martën, ka arsyetuar vendimin për pagesën e kompensimit në një vlerë prej nëntë pagave mesatare për angazhimin gjatë zgjedhjeve lokale të këtij viti. Paraprakisht këtë vendim e kishte marrë pas dyerve të mbyllura.

Ishte ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily ai që kishte ndarë në opinion informacionin që ka marrë se anëtarët e KSHZ-së në një seancë të mbyllur kanë marrë vendim për paga shtesë për zgjedhjet.

Violeta Duma nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve tha se nuk ka asnjë parregullsi sa u përket pagave shtesë, sepse, siç ka theksuar ajo, për të gjithë që janë angazhuar gjatë procesit zgjedhor, është ligjore të kompensohen.

“Kryetari dhe anëtarët e organeve zgjedhore dhe administrata zgjedhore kanë të drejtë të kompensimit për punën shtesë, pasi kanë punuar tërë kohën me orar të zgjatur dhe kjo pagesë është bërë në bazë të ligjit që funksionon KSHZ-ja”.

“Ndarja e pagave shtesë bëhet në bazë të ligjit dhe është legale”, ka thënë Violeta Duma anëtare e KSHZ-së.

Përderisa kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Cicakovski tha se pagesat shtesë janë më se ligjore, por tha se i pranon kritikat sa i përket transparencës së institucionit që drejton.

Ndërkohë, ekspertët thonë se Qeveria e re e Maqedonisë duhet t’i jap fund funksionimit të institucioneve në mënyrë jotransparente, përkatësisht marrjes së vendimeve pas dyerve të mbyllura.

Xhelal Neziri nga organizata joqeveritare për gazetari hulumtuese SCOOP, për Radion Evropa e Lirë thotë se tradita institucionale në Maqedoni është e atillë që favorizon jotransparencën e institucioneve.

“Ku nuk ka transparencë, atëherë dëshirat janë shumë të mëdha sepse krijohen mundësi për keqpërdorime pasi nëse ka tendencë diçka të mbahet fshehur, kjo do të thotë se ajo diçka është në kundërshtim me ligjet apo në kundërshtim me etikën e punës”.

“Në këtë drejtim do të thosha se trupat e pavarur kundër korrupsionit, mediat dhe OJQ-të, të jenë më aktiv me veprimtarinë e tyre që institucionet tona ta ndryshojnë këtë traditë të funksionimit, në mënyrë jotransparente dhe të jenë më të hapura kundrejt opinionit lidhur me punën e tyre”, thekson Neziri.

Përderisa Sonja Stojadinoviq, politologe tha për Radion Evropa e Lirë se qytetarët kanë të drejtë të dinë për çdo qindarkë sesi shpenzohen nga arka e shtetit, andaj duhet të sanksionohen me dënime maksimale të gjitha institucionet të cilat nuk respektojnë transparencën gjatë punës së tyre.

“Nevojitet të sanksionohen të gjitha institucionet të cilat nuk respektojnë rregullativën ligjore që parasheh transparencën e plotë dhe llogaridhënien gjatë punës”.

“Vetëm përmes shqiptimit të dënimeve dhe funksionimit të shtetit ligjor, drejtues të caktuar të institucioneve nuk do t’u shkojë as në fund të mendjes të ndërmarrin veprime për të shpenzuar paratë e buxhetit, pa dhënë llogari para organeve kompetente për të njëjtën gjë”, tha Stojadinoviq.

“Mbase është legale ndarja e rrogave shtesë për anëtarët e KSHZ-së, por është jomorale, sepse të gjithë ne e dimë se pavarësisht se kishte zgjedhje ata nuk kanë punuar më shumë se 72 orë në javë. Kjo paraqet shpërdorim klasik të funksionit zyrtar”, theksoi ajo.

Ndryshe, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Jess Baily ka kërkuar nga Qeveria e re, por edhe faktorët tjerë të tregohen më të vendosur në luftimin e korrupsionit dhe keqpërdorimeve.

“Maqedonia ndodhet në një kthesë të rëndësishme. Vendi po bënë përpjekje për të forcuar institucionet demokratike dhe të kthehet në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. Por, siç vërehet korrupsioni i shpërndarë gjithandej dhe sundimi i dobët i së drejtës po pengojnë këto përpjekje”, ka deklaruar ambasadori Baily. Ai ka kritikuar veprimin e anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të cilët në një seancë me dyer të mbyllura për opinionin, kishin vendosur të rrisin pagat e tyre në nivelin e nëntë rrogave mesatare në Maqedoni.

Exit mobile version