Qëllimi i OBRM-PDUKM-së është që të përmirësohet standardi jetësor – kështu thuhet në përgjigjen e partisë në lidhje me pyetjen se a do të shfuqizohet rritja prej 78% e pagave të zyrtarëve që u miratua vitin e kaluar
-Do ta ulni këtë rritje?
“Nga ajo që mund të them – qëllimi është që të kemi standard më të mirë jetësor për të gjithë qytetarët, të mos ketë dallime të tilla në pagat siç ka tani”, tha Marija Miteva, OBRM-PDUKM.
Para pak kohësh në brifing me gazetarët, ministrja e financave, Gordana Koçoska-Dimitrieska theksoi se është kundër uljes së pagave.
“Nuk shoh zgjidhje në uljen e pagave të funksionarëve, për shkak se posaçërisht ministrat punojnë shumë përderisa të tjerët pushojnë gjatë fundjavës dhe festave. Nuk e di çfarë do të bëjmë, por nëse planifikojnë t’i ulin, unë do të largohem”, deklaroi Gordana Koçoska-Dimitrieska, ministre e Financave.
Në opozitë, OBRM-PDUKM-ja thoshte të kundërtën.
“Mënyra e vetme është që të ndryshohet Ligji dhe të korrigjohen koeficientet për kompleksitetin e vendeve të punës, me çka do të ulet paga e funksionarëve të zgjedhur. Mendoj se sa më shpejtë këtë duhet të bëjë Qeveria, ndërsa OBRM-PDUKM në suaza të Parlamentit do ta mbështesë”, pati deklaruar Mickoski në mars të vitit 2023.
Nga Sindikata tani thonë se pushteti patjetër të respektojë Ligjin për pagë minimale dhe marrëveshjet kolektive.
“Asnjëherë nuk kemi pasur problem me pagat e funksionarëve, sepse në atë pjesë zyrtarët kanë pasur pagë prej 70-80 mijë denarë. Ne kemi pasur problem me respektimin e ligjeve të punës, ligjit për pagën minimale dhe marrëveshjeve kolektive. Nëse ato ligje do të respektoheshin në katër-pesë vitet e fundit, punëtorët duhet ta kishin atë pagë. Pra, në atë pjesë respektohen ligjet për funksionarët, por nuk respektohen ligjet për punëtorët dhe marrëveshjet kolektive”, tha Blagoja Rallpovski.
Vitin e kaluar, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dy nene të Ligjit për paga dhe kompensim të funksionarëve dhe kështu u hap rrugë rritjes së pagave të mbi 1000 zyrtarëve deri në 78%. Paga e ministrave ka arritur 115 mijë denarë, ndërsa paga mesatare në vend është 41 mijë denarë.