Telegrafi

Pagat 9 mijë euro dhe emrat e papërshtatshëm, lënë Trustin pa bord

Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës, mund të mbetet edhe për një kohë të gjatë pa bord.Kështu ka deklaruar një burim i Telegrafi.com në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Parlamentit të Kosovës.

Sipas tij, kjo çështje është duke u shtyrë jo vetëm për shkak të emrave të propozuar, për të cilët nuk ka gadishmëri për të votuar nga ana e parlamentit, por edhe për shkak të super rrogave që parashihen sipas rregulloreve për këta anëtarë të bordit.

’’Sipas rregulloreve anëtarët e bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale pas emërimit nga ana e Parlamentit, krijojnë marrëdhënie të rregullt pune në Trust. Për këta anëtarë të bordit është paraparë një supër rrogë prej 9 mijë eurove mujore apo mbi 100 mijë euro në vit, çka përbën çmenduri për kushtet e Kosovës”, tha një zyrtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, edhe rregullorja tjetër e cila e parasheh që gati 1 për qind të fondeve që qytetarët derdhin në Trustit, ti takojnë këtij organizimi, është një tjetër situatë të cilën deputetët dhe anëtarët e komisionit për Buxhet dhe Financa nuk mund ta kalojnë lehtë.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 3 shtatorit ka propozuar anëtarët e Bordit të ri të Trustit, Ruzhdi Morina, kryetar, Neil Mc Pherson, Steve Bates, Harvey Kember, Viktor Ulaj dhe Mimoza Kusari Lila, anëtarë të bordit.

Trusti që nga shtatori është duke funksionuar pa bord sepse ish anëtarëve ju ka skaduar mandati ndërkohë që në bazë të rregulloreve menaxhmenti nuk mund ti lëvizë fondet nga kompanitë që kanë investuar në aksione, pasi sipas rregulloreve vetëm bordi mund ta bëjë një gjë të tillë.

Deri më tani për shkak të rënies së aksioneve menaxhmenti i Trustit ka konfimuar që deri në fund të tetorit kanë humbur 82 million euro ndërsa me muajin nëntor humbjet shkojnë në 100 million euro.

Momentalisht Trusti ka nën menaxhim rreth 250 millionë euro para të kursyera nga qytetarët kosovarë, ndërsa shuma do të duhej të ishte gati 350 millionë euro, po të mos kishte ndodhur rënia e aksioneve në të gjitha tregjet globale. /Telegrafi/