Paga minimale pritet të rritet këtë muaj, por sa nuk dihet ende. Rritja sipas ligjit duhet të jetë rreth 1800 denarë, ndërsa sindikata kërkon rritje prej 6000 denarë dhe kontribute për diferencën deri në 30.000 denarë që do të ishte paga minimale, të subvencionohen nga Qeveria. Ata thonë se në Buxhet nuk janë planifikuar para për këtë qëllim. Nga Qeveria janë dakord për çdo zgjidhje për të cilën bien dakord sindikatat dhe punëdhënësit, por me shpenzimet e mbuluara plotësisht nga punëdhënësit.
Vendimi duhet të merret në Këshillin Ekonomik Social, ku marrin pjesë tre partnerët socialë, por ende nuk dihet se kur do të mbahet seanca. Të martën, sipas njoftimeve, në seancë qeveritare duhet të propozohen tre anëtarët e Komisionit për Përfaqësim, të cilët do të duhet të përcaktojnë përfaqësimin e sindikatës.
Kryeministri Hristijan Mickoski dje në një deklaratë për media ka konfirmuar se nuk ka para për subvencione në buxhet. Për të është e pranueshme çdo zgjidhje e rënë dakord nga sindikatat dhe punëdhënësit, por me shpenzimet e mbuluara plotësisht nga punëdhënësit.
Duke komentuar kërkesën e Lidhjes së Sindikatave për rritjen e pagës minimale, Mickoski tha se i vjen keq që një sindikalist është shndërruar në zëdhënës të opozitës.
“Më vjen keq që Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ngadalë por me siguri po shndërrohet në platformë partiake apo zëdhënëse të koalicionit mes Të majtës, LSDM dhe BDI, dhe praktikisht atë që thonë në Kuvend, thonë në konferenca për media. Ata zgjodhën këtë mënyrë për të funksionuar”, tha Mickoski pas vizitës në komunën e Ilindenit.
OBRM-PDUKM konteston edhe legjitimitetin e kryetarit të LSM-së, Slobodan Trendafilov, duke deklaruar se ai është zgjedhur në mënyrë të paligjshme.
Pas kësaj ka reaguar edhe kryetari i LSM-së, i cili në një postim në Facebook ka shkruar se OBRM-PDUKM-ja dhe LSDM-ja lirisht mund të akuzojnë njëra-tjetrën, duke pasur parasysh se të dy ishin kundër punëtorëve kur ishin në pushtet.
Ndryshe, LSM të hënën kërkoi rritje të pagës minimale prej 6.000 denarë, duke e çuar atë në 30.000 denarë, ndërsa punëdhënësit të lirohen nga kontributet sociale për një vit, përkatësisht kontributet të subvencionohen nga shteti.
Sipas kryetarit të LSM-së, është koha që partnerët social të bashkojnë duart dhe të përmirësojnë standardin e jetesës së punëtorëve, por edhe të ruajnë personelin e kualifikuar. Çdo votë kundër rritjes së pagave, siç theksoi kryetari i LSM-së, është votë për blerjen e biletës me një drejtim dhe largim nga vendi./Telegrafi/