Site icon Telegrafi

Paga e një epidemiologu në Kosovë, Shqipëri e Maqedoninë e Veriut

Mjekët janë fronti i parë, në luftën kundër coronavirusit. Përditë u duhet të përballen me rrezikun, ndërsa në darkë nuk mund të përqafojnë fëmijët dhe të afërmit e tyre. Por, cilat janë sfidat e përditshme të mjekëve dhe a ja vlen gjithë mundimi në fund të ditës?

Ermelinda Murati është epidemiologe dhe çdo mëngjes niset në gjurmim të të infektuarave dhe kontakteve të tyre, së bashku me ekipin që përbëhet nga 4 persona, së bashku me ndihmës epidemiologen, laboranten dhe specialisten e shëndetit publik

Janë të katërta gra dhe nëna që lënë fëmijët në shtëpi, për t’u kthyer në mbrëmje pa veshjet e posaçme që mbajnë kur dalin në terren por me peshën e frikës së infektimit. Detyra ua kërkon që të dalin nga zyra për në terren në zona urbane dhe rurale, kudo ku ka depërtuar agjenti i padukshëm me emrin Covid19

“Bëjmë mbledhjen, në mëngjes, që mblidhemi një grup specialistësh, vlerësojnë rastet, zakonisht rastet vijnë nga 127 dhe mjekët e qendrave shëndetësore.  Më pas i skedojmë, përgatisim skedat, shikojmë sa vatra kemi, i planifikojmë edhe nisemi për në punë”, shprehet Murati.

Ashtu si luftëtarët para betejës, mjekët veshin mburojat e tyre që në këtë rast janë përparëset, syzet e dorezat. Pjesë e grupit të terrenit, janë dhe Esida e Liberta, dy nëna të reja, që kanë lënë fëmijët e tyre në shtëpi, për të vijuar punën në gjetjen e të infektuarve nga coronavirus.

“Kemi lënë fëmijët në shtëpi, kemi shumë frikë po nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Kemi familjen, po e takojmë se jetojmë në një shtëpi, është e pashmangshme”, shprehet Liberta. “Çdo ditë është një faqe e re e luftës ndaj virusit që duhet gjendur dhe izoluar. Përballja me të është e vështirë dhe e lodhshme. Mundi dhe përkushtimi që këto zonja i japin qytetarëve të cilëve ju shërbejnë është i vështirë të justifikohet me shpërblimin financiar që marrin”, thotë Esida.

Po për epidemiologët në terren, për rreziqet dhe përballjen me viruset kush mendon? Në Shqipëri një mjek epidemiolog paguhet nga 57 mijë lekë të reja në muaj neto ose 6 milionë e 800 mijë lekë në vit të vjetra

Në Kosovë paga mujore për një epidemiolog shkon rreth 600 euro dhe në Maqedoninë e Veriut 585 euro. Në vitin 2020, paga mesatare e një epidemiologu në SHBA është 96 mijë dollarë bruto në vit. Në Gjermani varion nga 65 mijë euro deri në 84 mijë euro në vit.

Sikur të mos mjaftojnë vështirësitë dhe kushtet e sistemit shëndetësor në Shqipëri, si mund të bëhemi konkurrues dhe t’i mbajmë mjekët dhe investimin që institucionet shqiptare kryejnë ndër vite për një mjet epidemiolog? Një mënyrë mund të ishte duke i paguar me dinjitetin që meritojnë.

Exit mobile version