Site icon Telegrafi

“Padyshim alarmante”: Vala e zgjatur e të nxehtit në Siberi shqetëson shkencëtarët

Periudha e zgjatur e motit jashtëzakonisht të ngrohtë në Siberi është një “shenjë alarmante”, sipas shkencëtarëve të ndryshimit të klimës.

Sipas CNN, përcjell Telegrafi, temperaturat sipërfaqësore në Siberi ishin deri në 10 gradë Celsius, më të larta se mesatarja muajin e kaluar, duke e bërë atë majin më të nxehtë të rajonit të gjerë rus që nga fillimi i regjistrimeve në vitit 1979, sipas hulumtimit nga Shërbimi i Ndryshimit të Klimës së Kopernikut (C3S), një program i lidhur me Komisionin Evropian.

Sipas shkencëtarit të klimës Martin Stendel, devijimi i temperaturës në Siberinë veriperëndimore muajin e kaluar do të ndodhte vetëm një herë në 100,000 vjet nëse nuk do të ishte për ndryshimin e klimës.

Por në Siberi, nuk ishte vetëm maji që ishte më i ngrohtë se zakonisht – rajoni përjetoi periudha të temperaturave më të larta se mesatarja e ajrit sipërfaqësor gjatë gjithë dimrit dhe pranverës, me temperatura të ngrohta veçanërisht nga janari.

“Është padyshim një shenjë alarmante”, tha Freja Vamborg, një shkencëtare e lartë në C3S.

Po sipas shkrimit të CNN, Siberia ka tendencë të shohë ndryshime të mëdha të temperaturave nga muaji në muaj dhe nga viti në vit, dhe ka pasur muaj në vitet e kaluara kur anomalitë e temperaturave ishin më të mëdha se sa rajoni ka përjetuar në gjashtë muajt e fundit, tha C3S.

Por, sipas C3S, është e pazakontë të shohësh temperatura më të ngrohta se mesatarja për aq muaj me radhë.

Edhe pse Toka në tërësi po ngrohet, ngritja e temperaturës nuk ndodh në mënyrë të barabartë në të gjithë planetin, tha Vamborg.

Ajo ka thënë se Siberia perëndimore qëndron si një rajon që tregon më shumë një trend ngrohjeje me ndryshime më të larta të temperaturës.

Në këtë drejtim, shkruan CNN, shkencëtarët thonë se rajoni i Arktikut po ngroh, mesatarisht, dy herë më shpejt se pjesa tjetër e planetit si pasojë e ngrohjes globale.

Ndryshe, siç thuhet më tej, Rusia regjistroi dimrin e saj më të nxehtë në historinë 140-vjeçare të vëzhgimeve meteorologjike, njoftoi në fillim të këtij viti Qendra Hidrometeorologjike e drejtuar nga shteti. /Telegrafi/

Exit mobile version