Site icon Telegrafi

Paditet Twitter, u mbeti borxh 500 milionë dollarë punonjësve të pushuar nga puna

Twitter dyshohet se ka refuzuar të paguajë të paktën 500 milionë dollarë për mijëra punonjës që u pushuan nga puna kur Elon Musk bleu kompaninë, sipas një padie të ngritur të mërkurën.

Courtney McMillian, e cila mbikëqyri programet e përfitimeve të punonjësve të Twitter si “shefja e shpërblimeve totale”, përpara se të pushohej nga puna në janar, paraqiti padinë e propozuar të grupit në gjykatën federale të San Franciskos, transmeton Telegrafi.

McMillian pretendon se sipas një plani largimi të krijuar nga Twitter në vitin 2019, shumicës së punëtorëve iu premtuan dy muaj nga paga e tyre bazë plus një javë page për çdo vit të plotë shërbimi nëse do të pushoheshin nga puna.

Punonjësve të lartë sikurse McMillian kompania u detyrohej gjashtë muaj pagë bazë, sipas padisë.

Por Twitter iu dha punonjësve të pushuar vetëm maksimumin e një muaji pagese, dhe shumë prej tyre nuk morën asgjë, pretendon McMillian.

Twitter pushoi më shumë se gjysmën e fuqisë punëtore për të ulur kostot kur Musk e bleu kompaninë në tetor.

Kompania nuk ka më një departament të marrëdhënieve me median.

Padia akuzon Twitterin dhe Muskun për shkeljen e një ligji federal që rregullon planet e dëmshpërblimeve të punonjësve. /Telegrafi/

Exit mobile version