Telegrafi

Paditet shefi i cili përjashton nga puna jo-duhanxhinjtë

Thomas Jensen, shef i një shitoreje për shitje të televizorëve në qytetin Buesum të Gjermanisë veriore, ka pushuar nga puna tre persona që nuk pinin duhan në kompaninë e tij, dhe ka thënë se nuk do të pranojë më persona të tillë.

"Duhanxhinjtë gjithmonë kanë qenë punëtorët tonë më të mirë. Ata që nuk pinë duhan përzihen në rendin publik të korporatës”, ka thënë ai.

"Të punësuarit tanë që nuk pinin duhan, ishin në fakt të bindur që kishin të drejtë të kishin zona të tyre ku nuk pihet duhani. Ata nuk bënin gjë tjetër përpos që ankoheshin tërë kohën për pirjen e duhanit, dhe mua nuk më pëlqejnë njerëzit qaramanë”, ka thënë Jensen.

"Ishte po ashtu zhgënjyese që ata nuk pinin duhan e distanconin veten nga duhanxhinjtë në ngjarjet tona shoqërore – thjesht kjo nuk ndërtonte shpirtin e ekipit. Prej tani e tutje, unë do të punësojë vetëm duhanxhinj", ka shtuar ai.

Tre të punësuarit e pushuar nga puna tani janë duke e paditur atë për përjashtim të padrejtë nga puna.