Site icon Telegrafi

Paditet për shpifje Drejtori i Financave në Komunën e Pejës

Zyrtari për Emergjenca në Komunën e Pejës, Gani Krasniqi ka ngritur padi për shpifje ndaj drejtorit të financave në këtë komunë Jeton Abazajt. Ai thotë se Abazaj ka thënë të pavërteta, derisa ky i fundit nuk deshi të komentojë për rastin në fjalë.

1058 euro që kishte ndarë qeveria e Kosovës për zjarrfikësit u bënë mollë sherri mes zyrtarit për Emergjenca në Komunën e Pejës dhe Drejtorit të financave në këtë komunë.

Abazaj me 24 dhjetorë të vitit të kaluar kishte deklaruar për RTV Dukagjinin se është kërcënuar nga Gani Krasniqi.

“Ne kemi raportuar në organet e drejtësisë dhe policisë se personit nuk i takon ajo shumë. Prandaj ka ndodhur kërcënimi ndaj meje në zyrën time me fjalët që i kam cekë edhe më herët “do ta fusë plumbin në kokë”, kishte deklaruar Jeton Abazaj.

Por për këto fjalë Krasniqi ka paditur Abazajn për shpifje.

“Unë kam insistuar për takim dhe i kam thënë “të lutem drejtor vetëm 2 minuta”, por ai është ngritur në këmbë dhe pasi më është afruar është përpjekur dhunshëm të më largojë. Jam befasuar dhe jam ndjerë shumë i fyer nga kjo sjellje. I kam thënë se kjo sjellje nuk i ngjanë sjelljes së një drejtori”, ka deklaruar Gani Krasniqi.

Ai më tutje shtoi se deklarimet e Abazajt janë të pavërteta.

“Deklarimet e tija janë mashtruese dhe tendencioze…Ai nuk është drejtor i imi dhe nuk mund të kërkojë prej tij favore”.

Dukagjini ka tentuar të marrë përgjigje edhe prej Drejtorit të Financave por që i njëjti nuk ka dashur të flasë./Telegrafi/

Exit mobile version