Selim Islami ka paditur Kompaninë kosovare për Distribuimin dhe Furnizim me Energji Elektirike, KEDS, për dëmet që po i shkakton e njëjta pas vendosjes se një trafoje elektrike në pronën e tij.
Sipas padisë, Selim Islami është pronar i tokës së paluajtshme – parcelës kadastrale.
Ndërsa në këtë pronë pa dashjen e tij është vendosur trafoja elektrike dhe të njëjtën e shfrytëzon e paditura pa asnjë lloj kompensimi.
Paditësi Islami iështë drejtuar të paditurës KEDS me kërkesë që ose ta largojë – dislokoj trafon nga ky vend ose të lidhin kontratë për shfrytëzimin e kësaj prone.
Ndërsa përmes një shkrese të dërguar nga e paditura më 3 shkurt 2014, e kishte njoftuar paditësin për dislokim të trafos dhe kushtet që duhet plotësuar, duke i vënë kështu kushte paditësit, ndërsa nuk kishte treguar gatishmëri për lidhje të kontratës për shfrytëzimin e lokacionit – parcelës.
Në seancën përgatitore, e cila është mbajtur në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, Departamenti Civil, në jug të qytetit, përfaqësuesi i të paditurit me autorizim zëvendësues Leotrim Ademi ka deklaruar se mbetej në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë së parashtruar pranë kësaj Gjykate.
Kurse përfaqësuesi i të paditurës Rexhep Podvorica ka deklaruar se mbetej gjithashtu në tërësi pranë përgjigjeve në padi dhe theksimeve të bëra në seancat e kaluara, ndërsa theksoi se kishte vërejtje në ekspertizën e cila ishte dorëzuar me shkrim, për pjesën e përcaktuar të trafos 7 metra katrorë. Sipas tij eksperti ishte dashur të përcaktojë pjesën e domosdoshme të trafos përreth trafos për mirëmbajtje si dhe koha e vendosjes së trafos, pasi që sipas të paditurës ky stabiliment ishte vendosur para 39 viteve.
Eksperti i gjeodezisë, Nuhi Mehmeti, tha se mbetet në tërësi pranë mendimit të dhënë me shkrim.
Ndërsa në pyetjen e gjyqtarit Naim Meholli se si kishte konstatuar se në vitin 1988 nuk ka qenë i vendosur trafo-stacioni, eksperti Mehmeti deklaroi se deri të ky konstatim kishte ardhur nga planet të vitit 1988, duke theksuar së për atë kohë nuk ekzistonin orto-foto dhe asnjë dokumentacion tjetër sepse i gjithë dokumentacioni ishte marrë nga arkivat e Komunës gjatë luftës.
Derisa eksperti u pyet nga gjyqtari se a e kishte në posedim paditësi Selim Islami 27 metra parcelë në të cilën ishte vendosur trafo elektrike, eksperti deklaroi se një pjesë prej 27 metrave nuk e ka në shfrytëzim.
“Një pjesë prej 27 metrave nuk e ka në shfrytëzim sepse është e vendosur trafo elektrike ndërsa një pjesë tjetër e këtyre 27 metrave paditësi e posedon dhe e shfrytëzon dhe të njëjtën e ka të rrethuar me rrethojë prej druri “, deklaroi eksperti.
Pasi që Gjykata nuk e kishte të qartë se përveç shtatë metrave katrorë të trafos edhe sa metra katrorë të tjera nevojiten për qasje në trafo nga ana e të paditurës KEDS- it dhe mirëmbajtjen e saj, prandaj obligoi ekspertin e gjeodezisë Nuhi Mehmeti që edhe një herë të dalë në vendin e ngjarjes dhe të bëjë matjet e nevojshme lidhur me caktimin e pikave të parcelës.