Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), përmes Avokaturës Shtetërore kishte ngritur padi ndaj Komunës së Graçanicës për shkak të mosharmonizimit të rregullores Nr.03/18/KG të datës 26.09.2018 për lejet e ndërtimit.
Padia është dorëzuar më 4 qershor 2024 në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Kështu kishin bërë të ditur për Telegrafin, muaj më parë nga Ministria e Drejtësisë.
“Avokatura Shtetërore më datë 29.05.2024 nga MAPL ka pranuar shkresë për inicimin e procedurës gjyqësore bazuar në raportin e vlerësimit të ligjshmërisë së Rregullores Nr.03/18/KG mbi Kushtet e Përgjithshme për Parcelim, Rregullat dhe Procedurën e Ndërtimit të Objekteve në Lëshimin e Kushteve Ndërtimore për Ndërtesat nën Kompetencën e Komunës.
Avokatura Shtetërore më datë 04.06.20245 ka ushtruar padi për shfuqizimin e kësaj rregullore në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative”, thuhej në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.
E lidhur me këtë çështje nga Gjykata Themelore e Prishtinës, i kanë thënë Telegrafit se më datën 30 korrik 2024, përfaqësuesja e MAPL-së ka paraqitur një kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të Rregullores nr. 03/18/KG, e datës 28.09.2018, që ka të bëjë me Kushtet e Përgjithshme për Parcelim, Rregullat dhe Procedurën e Ndërtimit të Objekteve dhe Lëshimin e Kushteve Ndërtimore për Ndërtesat nën Kompetencën e Komunës.
Gjykata e aprovuar kërkesën e MAPL-së për të shtyrë ekzekutimin e kësaj rregulloreje.
“Andaj, Gjykata me datën 31.07.2024, sipas nenit 22 par.6 lidhur me par. 2 të LKA-së, ka aprovuar kërkesën e paditëses-propozueses, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, si të bazuar dhe ka shtyrë ekzekutimin e Rregullores me numër 03/18/KG (Nr. të Protokollit 7907/18) e datës 28.09.2018 Mbi Kushtet e Përgjithshme Për Parcelim, Rregullat dhe Procedurën e Ndërtimit të Objekteve dhe Lëshimin e Kushteve Ndërtimore Për Ndërtesat Nën Kompetencën e Komunës, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditëses/propozueses”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës për Telegrafin.
Rregullorja e përmendur ka pasur për qëllim të rregullojë aspektet e ndërtimit dhe lejeve të ndërtimit në territorin e Komunës së Graçanicës.
Komuna e Graçanicës kishte shpërfillur kërkesat nga institucionet për harmonizimin e kësaj rregulloreje.
Sipas MAPL-së, rregullorja ishte në kundërshtim me ligjin.
Si rrjedhojë e kësaj , banorët shqiptarë në Graçanicë kanë shprehur shqetësimin e tyre për diskriminim që po u bëhet sa i përket marrjes së lejeve për ndërtim.
Telegrafi edhe muaj më parë ka publikuar një seri shkrimesh për këtë çështje, madje kemi kontaktuar edhe me Komunën e Graçanicës por të njëjtit asnjëherë nuk u janë përgjigjur pyetjeve tona. /Telegrafi/