Site icon Telegrafi

​Padi ndaj Kuvendit dhe kompanisë, punëtorët greviste kërkojnë pagat gjatë grevës

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka dorëzuar padinë ndaj Kuvendit të Kosovës dhe kompanisë “Schalberger”, lidhur me pagesat e punëtorëve gjatë grevës që kanë mbajtur nga viti i kaluar për t’i shprehur pakënaqësitë për shkak pagave të ulëta.

Kryetari në këtë sindikatë, Jusuf Azemi ka theksuar se në bazë të vlerësimeve të inspektoriatit dhe profesionistëve të kësaj natyre, kërkesat e tyre kanë qenë legjitime dhe presin një vendim sa më të shpejtë nga gjykata lidhur me rastin.

Për muajin nëntor, dhjetor dhe janar, Azemi ka thënë se janë rreth 1 mijë e 200 euro për secilin person që duhet të paguajë kompania në fjalë, ndërsa ka shprehur shqetësimin e punëtorëve lidhur me mospagesën. Sipas tij, nuk është problem i tyre nëse kompania ka probleme në Parlamentin e Kosovës.

“Sapo dorëzuam padinë ndaj Parlamentit të Kosovës dhe kompanisë Schalberger. Për 79 ditë ne kemi qenë në grevë dhe realisht kemi shtyrë në funksion edhe inspektoriatin e punës. Inspektoriati e ka vlerësuar se greva jonë ka qenë në rregull dhe e ligjshme. Kërkesat tona kanë qenë të ligjshme dhe legjitime, dhe pas gjithë kësaj inspektoriati i punës i ka propozuar kompanisë që brenda tre ditëve t’i paguajë gjitha obligimet që kanë ndaj punëtorëve gjatë kohës së grevës dhe këta punëtor t’i kthejnë në vendet e tyre të punës. Kemi pritur një procedurë, nuk kemi asnjë njoftim nga kompania se si do të veprojë dhe normal që ne sot përgatitem dhe e dorëzuam lëndën. Sipas profesionistëve që njohin këtë natyrë të punës, lënda do të jetë në favor tonin, por normal që çdo vendim që lëshon Gjykata për ne është valide. Por, sipas gjithë dokumentacionit, në moment kur inspektoriati punës vlerëson që ka qenë çdo gjë në rregull dhe ka dënuar kompaninë për veprimet që ka bërë, presim rezultatet për një kohë të shkurtë”, tha Azemi.

Derisa ka nënvizuar se kompania nuk ka pas asnjë tendencë të ofrojë zgjidhje për të mos shkuar te padia.

Ai shton se mbi 1 mijë euro është vlera e pagesës për punëtorët.

“Nuk ka pas asnjë tendencë, ne në fakt derisa kemi marrë vendim përfundimtar që të bëjmë padi kanë qenë disa biseda në zyrën tonë por megjithatë janë çështje të brendshme të Parlamentit të Kosovës pse ka ardhë deri te kjo. Në këtë rast ne jemi në rend të parë viktima të asaj, deri të na bëhet pagesa, përndryshe shqetësimet e punëtorëve që i janë krijuar duhet paguar. Kompania e ka ditë dhe e dinë që ne nuk jemi fajtor, por, problemet e brendshme që ka në Parlamentin e Kosovës janë probleme të tyre…Vlera e pagesës konsiderojmë se përgjatë gjithë kësaj kohe sa do të qëndrojnë jashtë procesit të punës, këto duhet të kenë një pagesë rreth 400 euro, dhe vetëm për nëntor, dhjetor dhe janar, janë 1 mijë e 200 euro për secilin person”, ka shtuar Azemi.

Përndryshe, ata protestuar për më shumë se nëntë javë, derisa Kuvendi ndryshoi kontratën me operatoren, duke iu mundësuar që punëtori të ketë pagën 400 euro. Kurse, kompania largoi nga puna ato, duke zëvendësuar me tjerë./kp/

Exit mobile version