Ministri i Punëve të jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur për zgjerimin e shtrirjes diplomatike të Kosovës, duke thënë se tanimë vendi ynë ka përfaqësi diplomatike edhe në Karaibe.
“Nga java që e lamë pas vendi ynë do ta ketë Ambasadoren e parë të akredituar edhe në Saint Kitts dhe Nevis. Ky shtet, e njohu vendin tonë në vitin 2012 dhe që nga atëherë i ka dhënë mbështetje të vazhdueshme”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
“Këto janë vetëm disa nga rezultatet e diplomacisë tonë pro-aktive, që po ndjekim çdo ditë dhe në çdo kontinent. Po i ri-gjallërojmë marrëdhëniet me shtetet që e kanë njohur Kosovën, përderisa po depërtojmë fuqishëm tek ato, që ende nuk e kanë bërë këtë. Nuk do të ndalemi”, ka shkruar shefi i diplomacisë kosovare.
Ndryshe, shteti serb ka nisur një fushatë diplomatike për pengimin dhe tërheqjen e njohjeve të Kosovës.
Vetë shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka thënë se i tërë aktiviteti i diplomacisë serbe do të fokusohet në lobimin për tërheqjen e njohjeve nga shtete të ndryshme që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. /Telegrafi/