Telegrafi

Pacolli vlerëson lart rolin e Çekisë për Kosovën

Republika e Çekisë do të emërojë së shpejti të ngarkuarin me punë në Ambasadën e këtij shteti në Kosovë.

Kjo është bërë e ditur gjatë një takimi që zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, kishte me një delegacion nga Çekia, të kryesuar nga zëvendësministri i ri dhe drejtor i Departamentit të Evropës Jugore dhe Juglindore të MPJ-së çeke, ambasadorin Martin Kosatka.

Në takim është diskutuar për bashkëpunimin dhe forcimin e raporteve të mëtejme ndërmjet dy vendeve.

Ministri Pacolli i ka vlerësuar lart raportet ndërmjet dy shteteve, si dhe ka falënderuar Çekinë për përkrahjen, sidomos si anëtare e grupit të shteteve të Vishegradit, për përfshirjen e barabartë të Kosovës në punimet e ministerialit të vendeve të Procesit të Vishegradit që u mbajt në Greqi.

Ndërsa, delegacioni çek ka rikonfirmuar përkrahjen e Republikës së Çekisë për perspektivën dhe integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian. /Telegrafi/