Telegrafi

Pacolli, viktimë e koalicionit!

Analisti Beqaj vlerëson se ndryshimi i figurave në parti nuk mjafton për ndryshimin e mendësisë politike.

“Kalimi i Çekut në PDK është indikator serioz se lidershipi aktual po e përdor anëtarësinë dhe elektoratin për interesa egoiste”, vlerëson Beqaj për Telegrafin.

Kritikat e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli drejtuar qeverisë në një tubim me simpatizantët e AKR-së në Kamenicë, Beqaj i arsyeton me faktin se koalicioni Aleanca për Kosovë të Re, të cilin e drejton Pacolli, është më i dëmtuari pas kalimit të Agim Çekut në PDK.

“Ai tash është viktimë e këtij koalicioni”, thotë Beqaj.

Ndërkaq, Leon Malazogu mendon se nuk ka ndonjë indikacion se do të shkohet në zgjedhje të parakohshme, sepse koalicioni mes PDK-së dhe AAK-së pritet të ndodhë shumë shpejt.

"Përderisa nuk kemi ndonjë detyrim kushtetues ose krizë të thellë qeveritare, nuk duhet të ketë zgjedhje te parakohshme. Legjitimitetit i zgjedhjeve ka kuptim vetëm atëherë kur respektohen afatet e përcaktuara me ligj dhe Kushtetutë", thotë Malazogu, i cili nuk është shumë optimist se Reforma zgjedhore do të realizohet në një afat të afërt kohor. /Telegrafi/