Telegrafi

Pacolli uron përfaqësuesit e shtetit helvetik në 727-të vjetorin e themelimit të Konfederatës zvicerane

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i ka dërguar një  telegram urimi përfaqësuesve të shtetit hevetik, me rastin e përvjetorit të 727-të të themelimit të Konfederatës zvicerane dhe 127 vjetorit të Ditës Kombëtare.

Pacolli në telegramin e urimit shprehet se shteti helvetik ishte adresa e parë e kosovarëve në kohët më të vështira.

“Ka shumë arsye, që 1 Gushti, Dita Kombëtare e shtetit helvetik të festohet gjithandej edhe në Kosovë. Nga zhvillimi i marrëdhënieve të shkëlqyeshme në nivel ndër-shtetëror, lidhjet e fuqishme në mes dy popujve tanë e deri tek rritja gjithnjë e më madhe e bashkëpunimit ekonomik, investimeve reciproke, atij kulturor, sportiv dhe fushave të tjera. Shteti helvetik ishte adresa e parë e kosovarëve në kohët më të vështira për popullin tonë. Ai, i hapi dyert dhe strehoi shumë refugjatë gjatë luftës në Kosovë, ndihmoi në ri-ndërtimin dhe zhvillimin e vendit dhe procesin e shtet-ndërtimit. Për më tepër, Zvicra ishte shteti i parë që përmendi dhe propozoi zyrtarisht në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara Pavarësinë si zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën. Ne, do t’ju jemi përgjithmonë mirënjohës për gjithçka që keni bërë për popullin dhe vendin tonë dhe shfrytëzojmë këtë rast të ditës tuaj kombëtare për t’ju dëshiruar paqe të qëndrueshme, siguri afatgjate dhe prosperitet të vazhdueshëm për popullin dhe vendin tuaj”, ka thënë kryediplomati kosovar. /Telegrafi/