Site icon Telegrafi

Pacolli udhëton sot për në Tokio

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, sot do të udhëtoj për vizitë dy ditore në Tokio, në kryeqytetin e njërit prej vendeve, që e ka mbështetur më së shumti Kosovën në vitet e Pavarësisë.

“I shoqëruar nga ministri i zhvillimit ekonomik, Valdrin Lluka, kryediplomati kosovar fillimisht do të takojë ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Hiroshige Seko. Më pas homologu i tij japonez, Taro Kono, do të shtrojë një darkë për nder të Pacollit”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimeve, që vazhdojnë dhe nesër, ministrat e qeverisë së Kosovës, Pacolli dhe Lluka do të kërkojnë mbështetjen e gjithanshme japoneze në sektorë si energjia, infrastruktura në përgjithësi, etj.

“Japonia, me afro 130 milionë banorë, fuqia e tretë ekonomike e botës, është nga donatorët kryesorë të Kosovës.

Ajo e mbështet Kosovën në shumë nisma globale dhe Organizata Ndërkombëtare. Kryeministri japonez, Shinzo Abe, ka shpallur kohët e fundit iniciativën për bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet më tej në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version